Paga rritet vetëm në letër! Shqiptarët kanë humbur mbi 170 euro fuqi blerëse që nga 2020

Edhe pse pagat në Shqipëri janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, fuqia blerëse e qytetarëve ka rënë për shkak të rritjes së çmimeve.
Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2026 paga mesatare mujore bruto arriti në 90,119 lekë, rreth 60% më e lartë se në vitin 2020. Por, e korrigjuar me inflacionin, paga reale është vetëm 73,822 lekë. Kjo do të thotë se një punonjës sot blen me pagën e tij po aq mallra dhe shërbime sa blinte me 73,822 lekë në vitin 2020.
Diferenca mes pagës nominale dhe asaj reale ka arritur në 16,297 lekë, ose mbi 170 euro, niveli më i lartë i regjistruar deri tani. Në fillim të vitit 2021 kjo diferencë ishte vetëm 1,224 lekë, por është zgjeruar nga viti në vit si pasojë e inflacionit.
Ekspertët vlerësojnë se rritja e pagave nuk është shoqëruar me rritje të produktivitetit dhe prodhimit vendas. Përkundrazi, ajo ka nxitur konsumin në një kohë kur oferta nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm, duke ushtruar presion mbi çmimet.
Më të goditurit nga kjo situatë mbeten pensionistët, të ardhurat e të cilëve rriten vetëm përmes indeksimit me inflacionin, ndërsa kostoja e jetesës vijon të rritet.