Skip to content
Të Gjitha

Opozita dhe mazhoranca takohen të hënën, diskutohet për listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore

· 2 min lexim

Më në fund është caktuar data për mbledhjen e Këshillit Politik, ku pritet të ulen sërish përballë njëra tjetrës, opozita e bashkuar dhe mazhoranca.
Mësohet se palët kanë rënë dakord që  ditën e hënë në orën 11:00 të takohen dhe të diskutojnë për listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore.

Ky takim mes palëve  u kërkua nga Presidenti Ilir Meta dhe u mbështet nga opozita e bashkuar, të cilët shprehën se diskutimet për Reformën Zgjedhore mund të bëhen vetëm në tryezën e Këshillit Politik.
Ndërkohë që edhe kryeministri  Edi Rama, iu përgjigj pozitivisht ftesës dhe njoftoi se ai do të merrte vetë pjesë në këtë takim duke kërkuar  përballjen me Presidentin Ilir Meta dhe kreun e PD, Lulzim Basha. Asnjë prej të dyve nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen, por pritet që opozita jashtëparlamentare të përfaqësohet nga anëtarët Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, por dhe nga Gazment Bardhi.

Opozita nuk tërhiqet nga marrëveshja e 5 qershorit duke deklaruar se ajo duhet të miratohet sa më parë dhe pa asnjë ndryshim, duke paralajmëruar se asnjë nga çështjet e dakordësuara në këtë marrëveshje nuk do të rihapen në tryezën e radhës.

Nga ana tjetër Rudina Hajdari, e cila përfaqëson opozitën parlamentare nuk ishte dakord me mbledhjen dhe ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në të. Pritet që në Këshillin Politik të diskutohet nisma për ndryshimin e Kushtetutës që është kundërshtuar nga ndërkombëtarët, opozita dhe Presidenti.