Në mesin e personave të cilëve OFL-ja i kërkoi sot të plotësonin formularin e pasurisë është edhe Behar (Brajoviq) Bajri, i cilësuar si një prej anëtarëve të grupit të ashtuquajtur “Bajri”.
Ai fitoi lirinë në hënën më 29 qershor, pasi Gjykata e Shkodrës përcaktoi si masë sigurie detyrimin për paraqitje të tij duke zëvendësuar masën e deritanishme të arrestit me burg në pritje të gjyqit, ndërsa dyshohet për kryerjen e disa veprave të rënda penale – nga vrasja, gjobëvënia e deri tek pastrimi i parave.
Më 21 shtator 2018 Policia e Shtetit gaditi grupin “Bajri” duke arrestuar në zonën e Xhamllikut në Tiranë Safet Bajrin (Rustemi) një ndër më të kërkuarit e autoriteteve belge në atë kohë. Paralelisht operacioni u shtri edhe në Shkodër dhe Roterdam të Holandës, duke arrestuar 11 persona të akuzuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me qendër në lagjen Dobraç të Shkodrës.
Po ashtu, OFL u ka dërguar formularët edhe Artan Prengës dhe Arben Ghetës. Artan Prenga është dënuar për shfryrëzim prostitucioni dhe Arben Ghete për trafik droge.
Njoftimi i Policisë:
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
B. B., banues në Shkodër, nën hetim për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”;
A. P., banues në Mirditë, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese” kryer në bashkëpunim;
A. G., i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.