Shifrat e larta të infektimeve dhe vdekjet çdo ditë kanë shqetësuar qytetarët lidhur me agresivitetin e Covid-19, teksa qeveria nuk duket se e ka në plan rikthimin e karantinës. Megjithatë, ka një tjetër rrugë për t’i bërë ballë kësaj situate të rënduar, që sipas përfaqësueses së OBSH në Shqipëri, Bettina Menne, vëmendja duhet treguar në radhë të parë tek institucionet shëndetësore.
“Deri tani jemi ende nën numrin 100 të shtruar në spital dhe kjo është një situatë që ka qenë pak a shumë konstante, megjithatë ka shumë mënyra që mund ta kontrollojmë këtë situatë pa qenë e nevojshme që të kalojmë në mbyllje totale sërish, por vetëm me masa të caktuara. Është shume e rëndësishme që të merren të gjitha masat parandaluese dhe sidomos në ambiente të tilla siç janë institucionet shëndetësore, spitalet, qendrat shëndetësore e kështu me radhë. Gjithashtu theksojmë rëndësinë e të gjitha masave mbrojtëse në kompani të ndryshme industriale, në restorante, në bare dhe të gjitha ato ambiente ku kemi një numër të madh njerëzish, të cilët mblidhen aty”.- tha ajo në një intervistë për Report tv.
Sipas OBSH, ardhja e dimrit parashikon skenarin më të keq, që nuk është thjesht rikthimi i Covid-19, por prekja e moshave të reja, 15-50 vjeç, që deri tani është dukur se kanë qenë më pak të rrezikuara.
“Mbas stinës së verës do të kemi shumë shpejt dimrin dhe siç e dimë gripi është një nga sëmundjet që shfaqet më tepër në dimër sepse njerëzit rrinë më tepër në dhoma të mbyllura për një kohë më të gjatë dhe sigurisht që do të rezultojë në një numër më të lartë të sëmurësh dhe në mosha të reja, kryesisht nga 18-50 vjeç. Ky është skenari le të themi, situata më e keqe që ne kemi parashikuar dhe të shpresojmë, shpresojmë shumë që një vaksinë të arrijë të bëhet e mundur ndoshta për një periudhë maksimale një vjeçare”.
Teksa në Shqipëri autoritetet nuk kanë ende një vendim për maskat me detyrim, përfaqësuesja e OBSH në vendin tonë, ka një sugjerim, sipas së cilit të gjithë personat që janë mbi 60 vjec duhet të mbajnë patjetër maskë, dhe po ashtu çdo person që ka një sëmundje.
Por përse Shqipëria u fut në “listën e zezë” të BE-së duke na mbyllur kufijtë?
“Ne gjithmonë jemi të kujdesshëm që të parashtrojmë se cilat janë vendet që kanë një rritje të rasteve apo ulje të rasteve dhe ajo që kemi pasur në një tabelë të fundit ishte paraqitje e 11 shteteve në mënyrë të cilësuar të cilat kishin një rritje të menjëhershme të konsideruar të rasteve, është marrë për bazë një mesatare progresive, 16 persona të infekuar për 100 mijë banorë dhe Shqipëria kishte 30 persona të infektuar për 100 mijë banorë, ndërkohë që mesatarja evropiane luhatej diku tek 15-16-17 persona të infektuar për 100 mijë banorë”.
Për Menne përgjegjësia e luhatjeve në shifrat e infektimeve është edhe e vetë qytetarëve.
“Është shumë e rëndësishme që të forcohen të gjitha masat paraprake dhe mbi të gjitha të ruhet distancimi fizik. Ju të rinjtë keni një rol kryesor në të gjithë këtë proces, për tu mbrojtur, për tu ruajtur dhe për të mos u infektuar, sepse jeni ju të rinjtë që me anë të propagandës, në mediat sociale, në komunikimet tuaja ti transmetoni të tjerëve të gjitha këto mesazhe, duke mbrojtur veten tuaj ju mbroni nënë tuaj, babanë tuaj, gjyshin, gjyshen, të gjithë njerëzit që keni pranë. Ky është mesazhi im kryesor për të gjithë ju për të gjithë njerëzit e këtij vendi të mrekullueshëm”.