Skip to content
Kryesore

Nuk u luajt Himni shqiptar në prani të Mickoskit, reagon MEPJ: Shkelje serioze protokollare

· 1 min lexim

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas mosluajtjes së Himnit Kombëtar shqiptar gjatë hapjes së Festivalit Folklorik maqedonas në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski.

MEPJ e ka cilësuar mosluajtjen e Himnit Kombëtar si një mungesë serioze protokollare, duke theksuar rëndësinë e respektimit të simboleve kombëtare në aktivitete të tilla.

Sipas Ministrisë, pavarësisht se festivali ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania në aktivitet e zyrtarëve të lartë i jepte atij karakter publik dhe, për rrjedhojë, kërkonte respektimin e simboleve kombëtare.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka theksuar gjithashtu se simbolet kombëtare nuk janë çështje politike, duke e konsideruar respektimin e tyre një detyrim që duhet të zbatohet në aktivitete publike ku marrin pjesë përfaqësues të lartë institucionalë.