Një muaj kryeministër, ja 25 vendimet më të rëndësishme që ka marrë Albin Kurti

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Më 2 shkurt, pas rreth 4 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, u arrit dakordimi mes Lëvizjes Vetëvendosja dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke sjellë në krye të qeverisë Albin Kurtin, i votuar nga Kuvendi me 86 vota pro dhe 10 abstenim.

Tashmë ka kaluar 1 muaj që ai qeverisë Kosovën dhe me këtë rast kryeministri ka bërë një bilanc, të cilin e ka ndarë edhe me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Kurti ka renditur të gjitha vendimet e rëndësishme që janë marrë në këto 30 ditë, ku mes tyre janë: ulja e pagave të zyrtarëve, ndarja e mjeteve financiare me vlerë 200 mijë për Shqipërinë pas tërmetit, ndarja e mjeteve financiare për parandalimin e situatave të mundshme emergjente për shkak të epidemisë, anulimi i disa tenderave pa miratim buxhetor, etj.

Ndonëse Kurti nuk ka folur rreth vështirësive që ka hasur në këtë fillim të mandatit të tij të parë, ne mund të themi pa frikë se ajo është politika ndërkombëtare.

Ai është ballafaquar që me marrjen e detyrës si kryemninistër me presionin e SHBA për heqjen e taksës ndaj Serbisë, gjë të cilën ai e kishte kundërshtuar gjithmonë.

Mirëpo, roli i tij dhe përballja me fuqitë ndërkombëtare bënë që Kurti të heqë taksën 100% për shtetin serb për 90 ditë, duke kërkuar njohjen e Kosovës, pasi në të kundërt bëri me dije se do e rikthejë sërish taksën.

Më poshtë mund të lexoni listën e plotë me 25 vendimet më të rëndësishme të marra nga qeveria Kurti këtë 1 muaj.

Postimi i plotë i Kurtit
Sot u bë një muaj prej se zyrtarisht mora detyrën si Kryeministër i Republikës së Kosovës.
Qeveria jonë mori shumë vendime të mira e të rëndësishme. Ja disa prej tyre:
U përgjysmuan pagat e kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe stafit të tyre, por jo edhe pagat në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese.
– U shkarkuan shtatë koordinatorë nacionalë.
– U emërua Komiteti për Partneritet Publiko-Privat, në përbërje të të cilit janë pesë ministra.
– U aprovua Nisma e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për negocimin e “Marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital” në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Finlandës, dhe gjithashtu me Mbretërinë e Holandës.
– U ndanë mjete financiare në shumë prej 29,809.10 euro për projektin e GIZ-it, fonde që janë dhënë prej tij për mbështetjen e refugjatëve nga Republika e Shqipërisë gjatë qëndrimit në parkun inovativ të Biznesit në Prizren, me rastin e tërmetit.
– U aprovua mbështetja financiare për shmangien e dëmeve nga fatkeqësia natyrore e stuhisë së fuqishme në komunën e Pejës dhe Istogut. Sipas raportit të komisionit, dëmet arrijnë shumën prej 433 mijë euro.
– U aprovua Rregullorja për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.
– U shkarkua Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës” Sh.A.
– Sekretarët e përgjithshëm nga ministritë e prekura, nga riorganizimi që zvogëloi numrin e ministrive, kaluan në listën tepricë sipas legjislacionit në fuqi për shërbimin civil.
– U shfuqizua vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për pagat e ish-ministrave e ish-zëvendësministrave pasi ata përfundojnë mandatin.
– U aprovua në parim Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës dhe u aprovua në parim Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës.
– U aprovua kërkesa e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 200 mijë euro si mbështetje financiare për Republikën e Shqipërisë, me qëllimin e ndihmës në riparimin e dëmeve nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019.
– U aprovua propozimi i Ministrisë së Financave dhe Transfereve për të kërkuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrje në programin e BE-së “Customs 2020” dhe në programin tjetër të BE-së “Fiscalis 2020”.
– U shkarkua Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A.
– U shfuqizua Vendimi i Qeverisë i datës 11.09.2018, për aprovimin e koncept-dokumentit për ndryshimin e politikave fiskale dhe bujqësore për prodhimin e duhanit dhe cigareve në Kosovë.
– U ndanë mjete financiare në shumë prej 400 mijë euro për Ministrinë e Shëndetësisë për parandalimin e situatave të mundshme emergjente për shkak të epidemisë.
– U aprovua propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për themelimin e Grupit të Ekspertëve të pavarur që do të dizajnojë parimet udhëheqëse, skenarët dhe elementet e reformës së Vettingut në sistemin e drejtësisë, dhe që përbëhet nga 10 profesionistë kryesisht nga lëmia përkatëse, nën kryesimin e Qerim Qerimit, anëtar i Komisionit të Venedikut dhe profesor universitar, Fakulteti Juridik, Universiteti i Prishtinës.
– U shkarkuan drejtorët e Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça” Sh.A.
Qeveria jonë, përkatësisht ministrat, e saj po bëjnë punë të palodhur dhe të madhe. Disa prej vendimeve që kanë marrë ata janë:
– Shfuqizimi i vendimeve të emërimeve të 14 konsujve nëpër botë.
– Anulimi i tenderit 110 milionësh i autostradës Prishtinë-Gjilan i shpallur pa miratim buxhetor.
– Anulimi i ndërtimit të lagjes pranë liqenit të Badovcit.
– Ministria e Integrimit Evropian do të kursejë 330 mijë euro çdo vit pasi që është zhvendosur në objektin e Qeverisë së Kosovës dhe kështu nuk do të paguaj qira dhe shpenzime komunale.
– U nënshkrua marrëveshja me Bankën Botërore për të mbështetur Kosovën me një grant prej 2,785,000 dollarë, i cili u dedikohet komunave për zhvillimin e aftësive të rinisë.
– U anuluan tri vendime të ish ministres së Integrimit Evropian, duke kursyer kështu rreth 400 mijë euro

Shpërndaje
Share.

Komento