Skip to content
Fokus

Një minator në parlament, për herë të parë punëtorët mund të jenë të përfaqësuar

· 2 min lexim

Elton Debreshi, kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka shpallur prej disa ditësh se do të kandidojë si deputet i pavarur për qarkun e Dibrës.

Është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një punëtorë mund të përfaqësojë klasën e tij ndryshe nga c’ndodh çdo katër vjet kur burokrat e të korruptuar marrin në dorë pushtetin e nuk përfaqësojnë askënd.

Debreshi është prej më se 10 vjetësh minator dhe është i njohur me problemet e kolegëve të vetë dhe nevojat e banorëve në qarkun e Dibrës. Kujtojmë që në këtë qark kanë qenë të shumta skandalet me vjedhjen e votave dhe përgjime të shumta janë nxjerr në gazetën gjermane “Bild” që faktonin lidhjet e qeverisë me njerëz të krimit.

Rasti i Eltonit është ndryshe. Kur u zgjodh si kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ai u pushua nga puna padrejtësisht nga kompania Albchrome e Samir Manes. Gjithsesi ai vazhdoi i palëkundur duke mos hequr dorë nga greva që minatorët nisën në muajt nëntor-dhjetir të vitit 2019.

Elton Debreshi ka qenë edhe në mbështetje të punëtorëve të tjerë siç ishte rasti i naftëtarëve të Ballshit, ku ai i mbështeti në protestë.

Tashmë janë duke u mbledhur 1300 firmat e nevojshme për kandidimin në qarkun e Dibrës që më pas do të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Pika kryesore ku do të përqendrohet fushata e Debreshit është “Statusi i Minatorit” për të cilin u mblodhën më shumë se 10 mijë firma nga qytetarët në peticionin që nisi SMBB.  Nëse ai zgjidhet deputet, çështjen e statusit do e çojë edhe në Kuvend.

Do të ishte hera e parë që një punëtor hyn në Parlamentin e Shqipërisë nëse Elton Debreshi arrin të fitojë zgjedhjet dhe hera e parë që punëtorët do të jenë vërtetë të përfaqësuar.