Plotësohen votat e nevojshme në parlament për miratimin e Kodit Zgjedhor të ardhur nga Këshilli Politik. Pas deklarimit të votës pro të 6 deputetëve të opozitës parlamentare, plotësohet kuorumi për votimin e Kodit Zgjedhor në parlament.
Fatjona Dhimitri, Artur Roshi, Besnik Troplini, Suzana Topi, Gjetan Gjetani dhe Lefter Maliqi deklaruan sot votën e tyre pro konsensusit të arritur në Këshillin Politik.
PS ka 74 vota, 1 PSD, 3 PDIU (Elena Xhina, Reme Lala dhe Dritan Bici hynë në parlament nga listat e PDIU por me daljen e opozitës nga parlamenti hynë në grupin parlamentar demokrat që drejtohet nga Myslim Murrizi) dhe duke shtuar 6 të deputetëve të opozitës, bëhet shumica e nevojshme për të kaluar kështu kodin zgjedhor. Ndërkohë sot PS deklaroi se i qëndron marrëveshjes dhe se do ta kalojë më 23 korrik.
Më herët ishte kreu i Ballit Kombëtar Artur Roshi ai që konfirmoi votën e tij pro marrëveshjes, së bashku me deputetin Besnik Troplini dhe deputeten Fatjona Dhimitri.
“Marrëveshja PD-PS është e ngurtë, burim konflikti. Unë jam kundër heqjes së koalicioneve parazgjedhore, por për hapjen e listave kam qenë dakord që më parë. Balli Kombëtar është një parti që është krijuar që në 1990 dhe që gjithmonë ka pasur si qëllim interesat e vendit. Ne do të jemi pro kësaj marrëveshje. Jo se morëm atë që deshëm, për të thënë që nuk është ajo që unë kam predikuar, por është ajo që i duhet vendit. Rruga drejt BE-së është thelbësore. Ne do e votojmë marrëveshjen pasi është pika e parë në listën e kushteve të BE-së, për integrimin e Shqipërisë”, tha Roshi në një deklaratë për mediat.
Pak minuta më pas, pëmes një postimi në facebook, edhe deputetja Suzana Topi ka konfirmuar votën e saj pro dakortësisë së 5 qershorit.
Së fundmi, ka qenë deputeti Lefter Maliqi dhe Gjetan Gjetani që gjithashtu janë shprehur pozitiv për këtë marrëveshje, me qëllim përmbushjen e kushtit të vendosur nga BE për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e madhe europiane.
Deputeti Lefter Maliqi deklaroi se janë 11 deputetë të opozitës që do të votojnë “Pro” Marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.
Maliqi u shpreh se “jemi shumë të vonuar sa i përket Reformës Zgjedhore.” Mes të tjerash ai shtoi po ashtu se opozita në Kuvend nuk është e blerë nga kryeministri Edi Rama.
“Jemi pro marrëveshjes. E siguroj Ramën dhe mazhorancën që janë votat. Marrëveshja ka marrë pëlqimin e BE dhe SHBA. Marrëveshja është arritur në ambasadën e SHBA-ve. Pra të gjithë janë pro marrëveshjes. Ndaj i bëj thirrje PS që të kalojë marrëveshjen në Komisionin e Ligjeve”, u shpreh Gjetani.