Ka nisur seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, ku pjesë e rëndit të ditës është futur projekligji për ndryshimet kushtetuese, ku parashikohet hapja e pjesshme e listave të kandidatëve për deputetë dhe heqja e koalicioneve parazgjedhore.
Kryeministri Edi Rama ka arritur të bindë deputetët e opozitës parlamentare, të cilët do të votojnë sot këto ndryshime, me shpresën se me rikthimin e Kuvendit në shtator do të nisin diskutimet për hapjen e plotë listave për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Relatorë të projektligjit janë Klotilda Bushka, Alket Hyseni, Ediola Braha dhe Korab Lita.
Ndërkohë, opozita jashtëparlamentare shprehet kategorisht kundër vendimit të mazhorancës socialiste për të votuar sot këto ndryshime. PD dhe aleatët e konsiderojnë veprimin si ndryshim të njëanshëm të Kushtetutës nga një parti e vetme, duke paralajmëruar një krizë të re në politikë.