Ngjarje monstruoze/ Babi për dy vite rresht përdhunonte të bijën 9 vjeçare

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Shumë ngjarje të tmerrshme janë bërë publike, por kjo mund të themi se kalon çdo kufi të imagjinatës për monstruozitetin që ka.

Historia vjen nga Orikumi i Vlorës dhe është bërë publike në emisionin investigativ “Fiks Fare” dhe në qendër është një familje, në dukje e thjesht, por që fsheh një krim të tmerrshëm brenda.

Ajo çfarë është zbuluar është se prej dy vitesh tashmë babi përdhunonte sistematikisht vajzën e tij 9 vjeçe dhe njëkohësisht e dhunonte atë për të mos treguar.

Sipas Top Channel, ai sot është duke u gjykuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, për këtë krim makabër ndaj fëmijës së tij, vetëm 7 vjeç në kohën kur është bërë për herë të parë viktimë e dhunës seksuale nga babai.

Sot vajza ndodhet në një gjendje shumë të rëndë psikologjike, pasi për të mos mjaftuar gjithë çfarë i ka ndodhur, jeton edhe në mjerim të plotë me nënën, dy vëllezërit dhe motrën e vogël.

Megjithatë kur “Fiks Fare” e pyet nënën e të miturës nëse e kishte vënë re këtë gjë, ajo ka thënë se kishte vazhdimisht dyshime për dhunën seksuale që i shoqi ushtronte ndaj së bijës, por sipas saj, ai gjithmonë e mohonte dhe e rrihte kur i përmendte dyshimet.

“Dyshoja sepse gjithmonë e shikoja që donte të flinte në krevat me vajzën kur ishte vetëm në shtëpi, madje shpeshherë mua dhe djalin e madh na dërgonte te vëllezërit e mi. I thoja se ti diçka bën me vajzën, por më rrihte e më linte në shesh të vdekur, nuk e pranonte. Vinin fëmijët më hidhnin ujë që përmendesha”, tregon e ëma e së miturës.

Sipas Top Channel, momenti që vulosi abuzimin e të atit me vajzën ishte kapja në flagrancë e bashkëshortes nga dritarja e dhomës. Ajo tregon se shihte bashkëshortin e saj tek abuzonte me vajzën dhe i bënte me shenjë vajzës nga jashtë dritares të mos fliste.

“Nëse do të fliste, kisha frikë se mos e vriste vajzën”, tregon ajo.

Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, ajo bashkë me vajzën ka shkuar në Komisariatin e Policisë dhe ka akuzuar bashkëshortin për dhunë seksuale ndaj vajzës së tyre 9-vjeçare. Në shoqërinë e dy policëve i është drejtuar Qendrës Shëndetësore, e më pas në Spitalin Rajonal të Vlorës për një vizitë mjekësore të specializuar për vajzën, nga ku ka rezultuar se vajza është e defloruar dhe se deflorimi është i hershëm.

Që pas këtij momenti, më 22 janar 2019 policia ka arrestuar babain e vajzës. Këtu fillon edhe tragjedia e dytë për këtë familje, teksa fëmijët nuk mund të ndjekin as shkollën, pasi tallen nga bashkëmoshatarët e tyre.

“Vajza nuk shkon dot në shkollë, sepse të gjithë shokët e klasës e dinë çfarë ka ndodhur. Djalin e madh ma tallin dhe shajnë në shkollë”, tregon mes lotësh e ëma.

Megjithëse kjo histori ka ndodhur që në janar të këtij viti, shteti nuk ka marrë asnjë masë për këtë familje, duke i lënë në mëshirë të fatit. E vetmja psikologe, ku e mitura është dërguar për dy a tri herë, është ajo e shkollës. Në qytetin ku jetojnë, lajmi ka marrë dhenë dhe paragjykimet e të gjithëve kanë rënë mbi nënën dhe 4 fëmijët e saj.

“Nuk kam shtëpi, jam me borxhe nëpër dyqane, nuk më japin më as bukë, vajzën ma tallin në shkollë dhe nuk shkon. Edhe djali më i madh sa herë që shkon do zihet, se të gjithë ia përmendin përdhunimin, njerëzit e burrit më kërkojnë të tërheq denoncimin”, tregon M.H., nëna e së miturës.

Shpërndaje
Share.

Komento