Skip to content
Rajoni

Në prag krijimi të qeverisë, japin dorëheqjen dy ministra në detyrë të Kosovës

· 2 min lexim

Besnik Tahiri dhe Besian Mustafa kanë dhënë dorëheqjen nga pozitat e tyre në Qeverinë në detyrë, në ditën kur pritet të votohet Qeveria e re me në krye Albin Kurtin.

Sipas vendimeve të nënshkruara nga kryeministri në detyrë, Tahiri jep dorëheqjen nga posti i ministrit të Jashtëm në detyrë, ndërsa Besian Mustafa nga posti i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural.

Tashmë janë orët e fundit të qeverisë në detyrë Hoti, pasi sot konstituohet Kuvendi i ri me përfaqësuesit e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit si dhe qeveria e re e cila do të përbahet nga Vetëvendosje, Lista‘’GUXO’’  dhe disa të tjera që i përkasin minoriteteve joserbe.

Kujtojmë se lideri i Vetëvendosjes  Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, zhvilluan konsultime me përfaqësuesit e të gjitha partive politike parlamentare, në mënyrë që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja. 

Zgjedhja e qeverisë së Kosovës nuk duket se do të jetë  problem për Lëvizjen Vetëvendosja e cila tashmë ka siguruar votat e nevojshme, së paku 61 të tilla për formimin e qeverisë. Por, shumë shpejt kjo legjislaturë duhet ta zgjedhë presidentin, që të paktën duhet të jetë prania në sallë e dy të tretave, 80 deputëve.