Skip to content
Të Gjitha

Rama i përgjigjet Metës: Listat do të hapen, me zakon e me karton! Askund nuk bëhet referendum për këto çështje

· 2 min lexim

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryeministrit Edi Rama rreth deklaratës së Presidentit Ilir Meta, i cili u shpreh në një konferencë për mediat se ndryshimi i sistemit, heqja e koalicioneve dhe hapja e listave bëhen vetë me referendum. (Lexo këtu)

Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë shkruan se kjo gjë nuk ndodh asgjëkundi dhe se Shqipëria do t’i hapë listat me ligj dhe me karton.

Përsa i përket faktit që Shqipëria nuk do të ndjekë model lindor, Rama shprehet se Shqipëria do të ndjekë një model europian dhe se do të jetë me koalicione tamam, me zë, figura e program, jo kosh karavidhesh pa din as iman, siç shprehet ai.

“IM thotë ndryshimi i sistemit,heqja e koalicioneve,hapja e listave bëhen vetëm me referendum!Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s’do ndryshojë,as koalicionet s’do ndalohen,po listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton! Sa për modelin lindor, modeli i koalicionit që kemi s’është as perëndimor, as jugor, as verior dhe prandaj nuk gjendet askund në lindje a në perëndim! Modeli i ri do të jetë gjerman e plotësisht europian, koalicion tamam, me zë, figura e program, jo kosh karavidhesh pa din as iman!”- shkruan Rama.

Presidentit Ilir Meta tha ditën e sotme se marrëveshja e 5 qershorit është e njëanëshme dhe në kundërshtim me propozimet e Komisionit të Venecias.