Skip to content
Kryesore

Ndotje alarmante në Vlorë

· 2 min lexim

Ditët me reshje shiu dhe erë të fortë kanë nxjerrë në pah ndotjen e madhe që shkaktohet nga kanalizimet në Vlorë.

Mbeturinat e shumta, të hedhura nga qytetarët në kanalet kulluese dhe ato të ujërave të zeza, përfundojnë në det.

Si pasojë e rrymave detare, ato kthehen përsëri në breg.

Pas reshjeve, situata në qytetin e Vlorës është shqetësuese, me qindra mbeturina janë nxjerrë në breg të detit.

Unë kam këtu që kur ka filluar Lungomare; kam filluar punë me pastrimin e kësaj zone, se është tepër zonë e pisët; njerëzit janë të pandërgjegjshëm; ata i kemi promovues të gjithë kësaj situate; e gjitha kjo prej popullatës vjen, se nuk vjen nga natyra. Natyra sjell barishte, por jo kështu mbeturinash. Këtu duhet të ndërhyjnë urgjentisht organet ligjzbatuese, policia bashkiake. Ata i hedhin që nga fabrika e çimentos, dhe kanali i sjell këtu”,- tha punonjësi i ndërmarrjes së shërbimeve publike.

Për qytetarët e Vlorës, ky është një fenomen i përvitshëm që nuk përputhet me imazhin e qytetit si destinacion turistik bregdetar.

Ata kërkojnë pastrimin dhe rehabilitimin e kanaleve kulluese.

Një nga kanalet kryesore, Kanali i Siavit, derdhet në det në Lungomare.

Pas kalimit përmes disa lagjeve, ky kanal përfundon në det, duke mbartur me vete tonelata mbeturinash.