Skip to content
Bota

Ndihmon të sëmurët me COVID-19/ OBSH: Rritet kërkesa për ‘dexamethasone’

· 2 min lexim

Kërkesa botërore për steroidin me emrin dexamethasone është rritur që prej se një studim i realizuar në Britaninë e Madhe zbuloi se mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të vdekjes mes pacientëve me korona.

“Kërkesa  ka nisur që të rritet pas studimit që tregoi benefitet e dexamethasone,” u shpreh drejtuesi i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus  nga Gjeneva ditën e sotme.

Kur rezultatet e studimit paraprak u njoftuan javën e kaluar, OBSH deklaroi që i mirëpresin rezultatet e testeve klinike. Zbulimet në fjalë janë ende duke u përpiluar dhe ende nuk janë botuar.

Megjithëse të dhënat janë ende paraprake, konstatimi i fundit se steroidi deksametazon ofron mundësi të shpëtimit të jetës për pacientët me sëmundje të rëndë Covid-19 na dha një arsye shumë të nevojshme për të festuar,” tha Tedros.

“Sfida e radhës është që të rrisim prodhimin që të mund ta shpërndajmë në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë të barabartë, duke u fokusuar aty ku nevojitet më shumë,” shtoi kreu i OBSH.

“Për fat të mirë ky është një medikament jo i shtrenjtë dhe gjenden shumë prodhues të tij në të gjithë botën, për të cilët ne kemi besim se mund ta përshpejtojnë prodhimin.”

Për pacientët me ventilatorë, trajtimi u tregua se zvogëlon vdekshmërinë me rreth një të tretën, dhe për pacientët që kërkojnë vetëm oksigjen, vdekshmëria u shkurtua me rreth një të pestën, sipas gjetjeve paraprake të ndara me OBSh.

Përfitimi u pa vetëm te pacientët e sëmurë rëndë me COVID-19 dhe nuk u vërejt te pacientët me simptoma më të buta.

“Ky është trajtimi i parë që tregohet për të zvogëluar vdekshmërinë tek pacientët me COVID-19 që kërkojnë mbështetje me oksigjen ose ventilator”, tha Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH.

Kujtojmë që medikamenti deksametazon, ndodhet edhe në Shqipëri, dhe që ul me 33% vdekshmërinë te pacientët e intubuar.

Lajmi i mirë është se ky medikament është dhe shumë i lirë.