Skip to content
Kryesore

Ndërron jetë në ambientet e Policisë 32-vjeçari në Vlorë, ishte arrestuar 2 ditë më parë për vjedhje

· 1 min lexim

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Vlorë, ku një 32-vjeçar i arrestuar vetëm dy ditë më parë për vjedhje ka humbur jetën pasi gjendja e tij shëndetësore u rëndua në ambientet e Komisariatit të Policisë.

Enea Shparthi është konstatuar në gjendje të rënduar rreth orës 09:50, në dhomat e shoqërimit të Komisariatit të Policisë Vlorë. Menjëherë është kërkuar ndërhyrja e shërbimit mjekësor dhe i riu është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.

Vetëm pak minuta më vonë, në orën 10:05, mjekët kanë konfirmuar vdekjen e 32-vjeçarit.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, dyshohet se Shparthi ka humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak. Shkaku mbetet paraprak dhe rrethanat e plota të vdekjes janë ende duke u hetuar.

32-vjeçari ishte arrestuar në flagrancë më 29 gusht, rreth orës 23:00, për veprën penale “Vjedhja”. Dy ditë pas arrestimit, ai u gjet në gjendje të rënduar shëndetësore brenda ambienteve të Komisariatit.

Prokuroria ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për dokumentimin ligjor të vdekjes së 32-vjeçarit.