Ndalon makinën para lokalit dhe qëllon me armë, arrestohet 53-vjeçari në Mullet

Një 53-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Mullet, pasi dyshohet se ndaloi automjetin përballë një lokali dhe qëlloi me pistoletë në ajër, me qëllim kanosjen e një 23-vjeçari me të cilin kishte pasur më parë një konflikt.
Ngjarja ka ndodhur teksa në verandën e lokalit ndodheshin disa qytetarë. Pamjet e publikuara nga Policia tregojnë momentin kur automjeti ndalon përballë biznesit dhe më pas 53-vjeçari qëllon me armë.
Sipas Policisë, në lokal ndodhej 23-vjeçari A. H., i cili dyshohet se ishte objektivi i kanosjes. Autori i dyshuar, F. Ç., 53 vjeç, banues në Mullet, u arrestua gjatë operacionit të koduar “Njoftimi”. Policia sekuestroi gjithashtu pistoletën, të cilën ai dyshohet se e mbante pa leje, së bashku me municionin.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet nga Komisariati Nr. 1, operacioni i koduar “Njoftimi”.
Qëlloi me pistoletë në ajër, përballë lokalit në Mullet, ku ndodhej 23-vjeçari me të cilin ishte konfliktuar më parë, arrestohet në flagrancë 53-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit bashkë me municionin.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, menjëherë pas njoftimit se në afërsi të një lokali në fshatin Mullet, një shtetas kishte qëlluar në ajër, me armë zjarri, dyshohej për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet tij dhe një shtetasi që ndodhej në lokal, organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe autorësinë e rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Njoftimi”, u parandalua përshkallëzimi i këtij konflikti, si dhe u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi F. Ç., 53 vjeç, banues në këtë fshat.
53-vjeçari dyshohet se ka qëlluar në ajër, me armë zjarri (pistoletë), të cilën e posedonte pa leje, përballë lokalit ku ndodhej shtetasi A. H., 23 vjeç, me qëllim kanosjen e tij, sepse ishin konfliktuar më parë, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.