Ndahet nga jeta në moshën 54-vjeçare Artan Pogoni, pedagogu dhe një nga figurat më të njohura të sportit shqiptar

Sporti dhe akademia shqiptare janë në zi pas ndarjes nga jeta të Prof. Asoc. Dr. Artan Pogonit, i cili u shua në moshën 54-vjeçare pas një arresti kardiak gjatë pushimeve në qytetin e Vlorës.
Artan Pogoni ishte një nga emrat më të njohur të sportit shqiptar, me një karrierë të spikatur si pedagog, drejtues sportiv, trajner dhe studiues. Ai mbante detyrën e Shefit të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Fakultetin e Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit të Universitetit “Barleti”, si edhe ishte anëtar i Senatit Akademik të këtij institucioni.
Me katër diploma universitare dhe gradën Doktor Shkencash, Pogoni ia kushtoi jetën zhvillimit të edukimit fizik dhe shkencave të sportit. Ai ishte autor i 12 publikimeve shkencore dhe dy teksteve universitare, ndërsa kontribuoi edhe në projekte ndërkombëtare përmes programeve Tempus dhe Erasmus+.
Përveç angazhimit në botën akademike, ai dha një kontribut të rëndësishëm edhe në sportin elitar. Ka shërbyer si drejtor sporti në Bashkinë e Tiranës, ndërsa në vitet e fundit ishte një nga drejtuesit e klubit Barleti Volej dhe trajner i ekipit të femrave, duke lënë gjurmë në volejbollin shqiptar.
Artan Pogoni ishte gjithashtu një zë i njohur në debatet publike për zhvillimin e sportit në Shqipëri, ku shpesh analizonte problematikat e federatave sportive dhe sfidat e sistemit sportiv, si opinionist në studio televizive.
Ndarja e tij e parakohshme përbën një humbje të madhe për sportin dhe arsimin shqiptar. Kolegë, studentë, sportistë dhe bashkëpunëtorë kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një profesionisti që për dekada kontribuoi në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Artan Pogoni do të kujtohet si një nga figurat më të rëndësishme që ndërtoi një urë të fortë mes akademisë dhe sportit në Shqipëri.