Natë tmerri në Vlorë/ Hoteli përfshihet nga flakët, pushuesit hidhen nga ballkonet! 6 të lënduar, një vajzë me djegie në thuajse 100% të trupit

Një natë pushimesh është kthyer në makth në Lungomaren e Vlorës, ku një zjarr i fuqishëm ka përfshirë hotelin “Brooklyn”, duke detyruar pushuesit të kërkojnë shpëtim nga ballkonet, pasi tymi dhe flakët ua kishin bllokuar daljen përmes shkallëve. Gjashtë persona kanë mbetur të lënduar, pesë prej tyre janë transportuar drejt Tiranës, ndërsa më e rëndë paraqitet gjendja e një vajze që, sipas shefit të Reanimacionit të Spitalit të Vlorës, ka pësuar djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:05 të mëngjesit në lagjen “10 Korriku”. Sipas Policisë, zjarri ka qenë aksidental dhe është shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi që ndodhej në ambientet e restorantit. Flakët kanë përfshirë katin e parë, ku ndodhej bar-restoranti, dhe më pas kanë kërcënuar katin e dytë, ku ishin dhomat e hotelit, ndërsa zjarri është përhapur edhe në fasadën e ndërtesës.
Momente dramatike janë regjistruar brenda pak minutash. Pushuesit, shumë prej të cilëve ishin në gjumë, janë zgjuar mes tymit, zhurmave dhe flakëve. Korridoret ishin mbushur me tym dhe dalja përmes shkallëve ishte bërë e pamundur. Për disa prej tyre, e vetmja rrugë shpëtimi mbetën ballkonet.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë persona që dalin nga dhomat dhe hidhen nga ballkonet për t’i shpëtuar zjarrit. Pikërisht hedhja nga lartësia ka shkaktuar edhe disa prej dëmtimeve më serioze.
Në hotel ndodheshin shqiptarë të Kosovës, shtetas shqiptarë, por edhe turistë të huaj nga Polonia dhe Ukraina. Nga gjashtë personat e lënduar, pesë janë shtetas të Kosovës dhe një është nga Rrësheni.
Një prej pushuesve nga Kosova ka treguar momentet kur është zgjuar dhe ka kuptuar se hoteli ishte përfshirë nga zjarri.
“Ishim në gjumë në orën 4 të mëngjesit, nuk e di. Dolëm në korridor, pamë shumë tym. Mbyllëm derën, shkuam në ballkon, flakë. Kërcyem nga ballkoni, kam rënë në beton a nuk e di”, thotë ai.
Mes personave që arritën të shpëtonin është edhe 21-vjeçari Luan Salihu nga Lipjani, i cili ndodhej në dhomë së bashku me partneren e tij. Ai është personi që shfaqet në pamjet që qarkullojnë, duke u hedhur nga ballkoni i katit të dytë.
“Jam nga Lipjani. Ishim në gjumë, ora 3, gati 4. Kërcitje, e fejuara u çua e para, më tha çohu nga gjumi se s’di ç’ka ndodhur. U çuam të dilnim nga dera, ishte tym, hyri tymi brenda. Dolëm nga ballkoni, ishte flakë e tym, kishte një mburojë, hipëm sipër saj dhe kërcyem poshtë. S’u lënduam nga djegia, kur u hodha rashë në cep hekuri dhe vrava këmbën. Kam parë një familje me fëmijë të vogël dhe një burrë. Ishte dita e dytë në hotel”, thotë Salihu.
Edhe një turist nga Polonia ka përshkruar minutat e frikshme kur pushuesit u zgjuan nga të bërtiturat dhe era e pazakontë.
“U zgjuam natën, nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura. U hodhëm nga dritarja, thirrëm për ndihmë. Kaq. Jam nga Polonia. Ora ishte rreth 4 e mëngjesit”, ka treguar ai.
Përmasat e zjarrit kanë qenë të mëdha që në momentin kur zjarrfikësit kanë mbërritur në vendngjarje. Shefi i shërbimit zjarrfikës, Luan Kapaj, ka treguar se sinjalizimi fillestar ka ardhur nga një banor që kishte kaluar pranë godinës dhe kishte parë atë që në fillim dukej si një zjarr më i kufizuar. Kur ekipet kanë mbërritur, situata ishte shumë më serioze: kati i parë ishte përfshirë nga flakët.
“Mbrëmë kemi pasur një situatë disi të veçantë sepse ka qenë një zjarr në përmasa të mëdha në katin e parë të bar-restorantit dhe desh u përhap në aktin e dytë ku ishte hoteli. Fillimisht në zyrën e informacionit ka ardhur një telefonatë, dikush ka kaluar, ka parë një si djegie ‘po digjet një kolltuk.’ Ekipi zjarrfikës ka qenë në vendngjarje, komplet kati i parë në flakë. U desh të bëhej ndërhyrja në dy drejtime, të izolohej kati i parë që mos të kalonte zjarri drejt hotelit dhe të bëhej i mundur evakuimi i gjithë banorëve rezidentë në hotel. U punua me forcat në dispozicion dhe me ndihmë nga të tjerat. Për banorët ishte e pamundur të dilnin nga shkallët dhe u detyruan të hidheshin nga ballkoni”, shpjegoi Kapaj.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, ndërsa godina është evakuuar për shkak të rrezikut. Zjarrfikësit kanë punuar në dy drejtime për izolimin e flakëve dhe për të penguar avancimin e tyre drejt ambienteve ku qëndronin pushuesit.
Pas shuarjes së zjarrit, pamjet nga hoteli tregojnë përmasat e dëmeve: ambiente të djegura, fasadë të nxirë, gjurmë bloze dhe dyer ballkonesh të mbetura të hapura, prej nga pushuesit kërkuan rrugën e shpëtimit. Ndërtesa ka pësuar dëme të mëdha materiale.
Situata më kritike lidhet me gjendjen shëndetësore të të lënduarve. Të gjashtë personat kanë marrë fillimisht ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës. Pesë prej tyre janë transferuar më pas drejt Tiranës për trajtim të specializuar, ndërsa një pacient vijon të trajtohet në repartin e Kirurgjisë së Spitalit të Vlorës.
Dy pacientë janë dërguar në Spitalin e Traumës pasi kanë pësuar fraktura gjatë hedhjes nga ballkoni. Tre të tjerë janë transportuar në strukturat e trajtimit të djegieve në QSUT.
Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, ka treguar se pacientët kanë mbërritur rreth orës 04:30 dhe se personeli mjekësor është vënë menjëherë në gatishmëri.
“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës. Dy prej tyre i nisëm në qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë. Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, thotë Breshanaj.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se tre nga të lënduarit e transferuar në Tiranë ndodhen në QSUT “Nënë Tereza”. Njëra prej pacienteve paraqitet në gjendje të rënduar për shkak të përqindjes së lartë të djegieve dhe kërkon monitorim dhe kujdes të vazhdueshëm mjekësor. Një pacient tjetër klinikisht paraqitet më i qetë.
Ndërkohë, dy pacientët e dërguar në Spitalin e Traumës kanë pësuar fraktura gjatë përpjekjes për t’u shpëtuar flakëve. Sipas Ministrisë, njëra paciente është në gjendje të stabilizuar, por për shkak të dëmtimeve do të vijojë të mbahet nën monitorim intensiv dhe të vazhdueshëm, ndërsa pacientja tjetër paraqitet gjithashtu në gjendje të qëndrueshme.
Policia ka konfirmuar gjashtë të lënduar dhe ka bërë të ditur se dy prej personave të transportuar drejt Tiranës kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore.
“Sot, rreth orës 04:05, në lagjen ‘10 Korriku’, Vlorë, ka rënë zjarr në ambientet e brendshme të një hoteli, në pronësi të shtetases M. A.
Si pasojë e zjarrit janë lënduar 6 pushues, (5 prej tyre shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas nga Rrësheni).
Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku 2 prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një shtetas po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.
Gjithashtu, nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale.
Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njoftoi Policia.
Hetimet paraprake e kanë përcaktuar kështu si aksidental zjarrin, me origjinë nga priza elektrike e frigoriferit në restorant, ndërsa grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon procedurat për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Bilanci është i rëndë: gjashtë pushues të lënduar, pesë të transferuar në Tiranë, persona me fraktura pasi u detyruan të hidheshin nga ballkonet dhe pacientë me djegie serioze. Më kritike mbetet gjendja e vajzës që, sipas mjekut të Spitalit të Vlorës, ka djegie në pothuajse të gjithë sipërfaqen e trupit.
Një zjarr që, sipas hetimeve paraprake, nisi nga një prizë frigoriferi në restorantin e katit të parë, brenda pak minutash e ktheu hotelin në një kurth për pushuesit që flinin në katin e sipërm, duke i detyruar disa prej tyre të zgjidhnin hedhjen nga ballkoni si të vetmen mënyrë për t’u larguar nga tymi dhe flakët.