“Muzeu i Hebrenjve” dhe “Klubi Labëria” në Vlorë

Nga Klodian Tomorri
Shpesh Shqipëria bëhet shesh beteje për një ndërtesë dhe, në fund, përfundojmë duke u grindur për historinë. Debati i sotëm për godinën ku është themeluar Klubi Labëria është njëri prej tyre. Prej disa kohësh flitet për krijimin në Vlorë të një muzeu kushtuar historisë së hebrenjve. Në vetvete, lajmi nuk ka asgjë që të mos pritet me respekt. Përkundrazi.
Historia e hebrenjve që mbërritën në Vlorë, të dëbuar nga Europa e krishterë dhe të mirëpritur në territoret e Perandorisë Osmane, është një nga ato histori që Shqipëria i ka lënë për shumë kohë në hije.
Është një histori migrimesh, tregtie, deti, perandorish dhe njerëzish që, të dëbuar nga një skaj i Europës, gjetën strehë në një skaj tjetër të Mesdheut.
Por, siç ndodh rëndom në vendin tonë, problemi nuk është gjithmonë ideja. Problemi fillon kur, për të ngritur një histori, zbehet një histori tjetër. Sidomos kur kjo bëhet nën ndikimin e konjukturave politike të ditës.
Debati i sotëm për ish-Klubin e Labërisë, i cili pritet të kthehet në një muze të historisë hebraike, ka ngritur disa çështje me interes publik, veçanërisht për vetë godinën.
Sepse godina nuk është thjesht një ndërtesë, por është një kujtesë historike, në pronësi shpirtërore të lebërve të Vlorës. Një copëz nga ajo gjë e padukshme që ne, shqiptarët, e quajmë me shumë pathos trashëgimi, por që e trajtojmë me shumë pak kujdes sapo vjen puna për ta ruajtur.
Mjafton të shikosh këtë godinë të braktisur dhe të rrënuar nga moskujdesi, edhe pse mbante mbi shpatulla një emër të madh: Klubi Labëria.
Por t’i rikthehem temës që diskutohet sot. A duhet Vlora të ketë një muze hebraik?
Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Sigurisht që mund ta ketë.
Unë do të doja një Muze të Vlorës ku edhe historia e hebrenjve të ishte e përfaqësuar. Por pyetja që bëhet në Vlorë sot është ajo mbi godinën.
A duhet një kujtesë e re të ndërtohet duke zhvendosur një kujtesë të vjetër?
Dhe këtu, mendoj unë, fillon debati i vërtetë.
Sepse Vlora nuk është një qytet pa histori. Përkundrazi. Vlora ka ndoshta më shumë histori sesa mund të mbajë mbi supe.
Ajo ka parë legjionet romake, bizantinët, normanët, venecianët, osmanët, tregtarët, ushtarët, kryengritësit, diplomatët, patriotët dhe revolucionarët.
Ka parë Cezarin. Ka parë Pompeun. Ka parë Sulejmanin e Madhërishëm. Ka parë dozhët e Venedikut.
Ka parë Ismail Qemalin. Ka parë Enver Hoxhën. Por ka parë edhe Hrushovin.
Dhe, ndërmjet këtyre personazheve që historia i ka futur në librat e saj, Vlora ka parë edhe mijëra njerëz pa monumente, pa statuja dhe pa emra të gdhendur në bronz.
Ndër ta edhe hebrenjtë sefardë, si pjesë e kësaj historie të madhe. Jo thjesht sepse ata erdhën nga Europa që i përndiqte, por sepse, për një periudhë të rëndësishme, u bënë pjesë e qytetit dhe e historisë së tij, duke u shndërruar njëkohësisht në pjesë të historisë më të gjerë të Ballkanit.
Hebrenjtë që mbërritën në territoret osmane pas dëbimeve nga Gadishulli Iberik nuk sollën me vete vetëm tragjedinë që Europa e krishterë u kishte shkaktuar. Ata sollën tregtinë, lidhjet mesdhetare, zanatet, përvojën, gjuhët dhe kapitalin.
Për këto arsye, Porta e Lartë nuk i mirëpriti vetëm sepse sulltanët kishin zemra të mëdha. Perandoritë, për fat të keq të romantikëve, nuk ndërtohen mbi zemërgjerësinë e sundimtarëve, por mbi të gjitha mbi interesat.
Pikërisht këtë interes kuptoi Sulltan Bajaziti II, i cili më 1492 lejoi hebrenjtë e Gadishullit Iberik të vendoseshin në territoret osmane. Bajaziti II, ashtu si edhe pasardhësit e tij, kuptoi atë që shumë sundimtarë të Europës e kuptuan vonë: se një njeri i dëbuar nga një vend mund të jetë një pasuri për vendin që e pret. Aq më shumë një komunitet dinamik.
Prandaj hebrenjtë u lejuan të vendoseshin në qytete të rëndësishme të Perandorisë Osmane, si Vlora, Janina, Delvina, Berati dhe, veçanërisht, Selaniku, i cili u kthye në qytetin më të madh hebre në Perandori. Komuniteti i Selanikut lulëzoi deri në shfarosjen e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë kontekst historik duhet kuptuar edhe Vlora e fillimit të shekullit XVI, e cila nuk ishte një qytet që priste refugjatë nga mëshira. Vlora ishte një port osman, ku tregtia venedikase kishte një ndikim të madh dhe, pikërisht për këtë arsye, një komunitet hebraik në Vlorën osmane mund të neutralizonte influencën venedikase, duke prodhuar të ardhura për arkën e Portës së Lartë.
Vlora nuk mund të kuptohet jashtë historisë së portit dhe konkurrencës tregtare të tij me portet e tjera. Ashtu si Porti i Vlorës nuk mund të kuptohet pa Venedikun dhe Venediku pa Mesdheun. Ashtu si nuk mund të kuptohet Mesdheu pa njerëzit që kanë kaluar nga njëri breg në tjetrin, duke besuar se deti, ndryshe nga kufijtë, nuk pyet kurrë se çfarë feje ke.
Prandaj, nëse Vlora do të ndërtojë një muze, pyetja nuk është nëse historia hebraike duhet të jetë brenda tij. Patjetër që duhet.
Madje duhet të jetë e dokumentuar mirë, me arkivat dhe regjistrat osmanë, të cilët tregojnë saktësisht se ishin osmanët ata që ndihmuan familjet hebreje të shpëtonin jetën e tyre.
Por, mbi të gjitha, me gjurmët që ky komunitet la në ekonominë dhe jetën urbane të qytetit.
Për këtë arsye, historia e hebrenjve nuk duhet të jetë e ndarë nga historia e Vlorës shqiptare, venedikase apo osmane, pasi një komunitet që u bë pjesë e qytetit nuk duhet të shkëputet nga konteksti i tij për t’u vendosur në një muze të veçantë.
Ndërkohë, çfarë ndodh me kujtesën e ndërtesës që zgjidhet për këtë muze?
Nuk mund të marrësh një ndërtesë historike, t’i heqësh kujtesën, t’i ndryshosh emrin dhe pastaj të deklarosh se ke shpëtuar historinë.
Kjo është një nga ato shpikje moderne që burokratët i quajnë rijetëzim. Por kujtesa nuk rijetëzohet duke i vrarë jetën e mëparshme.
Në Vlorë, kujtesat janë shumë të vjetra për t’i trajtuar me atë lehtësi me të cilën ndryshohen tabelat e ministrive.
Vlora është Labëri. Dhe Labëria është histori. Nuk është mobilje e vjetër që mund të zhvendoset në magazinë për t’i bërë vend një projekti më tërheqës ndërkombëtarisht.
Dhe këtu, me zë të lartë, duhet të thuhet diçka që në Shqipëri thuhet rrallë, sepse kemi filluar të kemi frikë nga çdo fjali që nuk përfundon me një deklaratë diplomatike.
Ne mund të respektojmë historinë e një populli tjetër, pa pranuar në heshtje që historia e popullit tonë të bëhet më pak e rëndësishme.
Për këtë arsye, unë mund të them pa asnjë hezitim:
E respektoj shumë historinë e Perandorisë Osmane.
E respektoj po ashtu Izraelin.
E respektoj historinë e jashtëzakonshme të një populli që ka ruajtur identitetin e tij për mijëra vjet, duke kaluar nëpër dëbime, tragjedi dhe rikthime që historia europiane mezi mund t’i përmbledhë në një fjali.
Por, me gjithë respektin tim,
unë Labërinë e dua më shumë.
Dhe nuk shoh asgjë të gabuar në këtë dashuri. Përkundrazi, respekti për botën fillon nga respekti për vendin ku ke lindur.
Internacionalizmi që nuk njeh shtëpinë e vet është vetëm një lloj turizmi moral, i cili, fatkeqësisht, ka mbërthyer politikën tonë.
Ne mund të respektojmë Amerikën pa u bërë amerikanë.
Mund të admirojmë Izraelin për atë që ka arritur të bëjë për popullin e tij në një kohë relativisht të shkurtër.
Por ne, në radhë të parë, duhet të dimë të ngremë në piedestalin e historisë sonë Vlorën dhe Labërinë.
Duhet të dimë të vlerësojmë atë që Labëria dhe Vlora kanë bërë për ruajtjen e identitetit shqiptar.
Prandaj mund të ndërtojmë një muze për hebrenjtë. Por, përpara se të shqetësohemi për mënyrën se si do të vendosim në piedestal kujtesën e një komuniteti tjetër, duhet të pyesim veten:
Kur do ta ngremë në piedestal historinë tonë?
Kur do të kuptojmë se historia jonë nuk është më pak e rëndësishme vetëm sepse nuk ka gjithmonë një audiencë ndërkombëtare?
Unë e dua Amerikën.
E respektoj Izraelin.
Por Labërinë e dua më shumë.
Dhe pikërisht sepse e dua Labërinë, nuk dua që ajo të mbyllet në një muze të vogël, diku në periferi të kujtesës sonë.
Dua që historia e saj të rrijë aty ku i takon: në zemër të Vlorës.