Skip to content
Kryesore

Mot i rënduar nesër, IGJEO paralajmëron reshje intensive, shtrëngata dhe erëra të forta: 7 qarqe rrezikojnë përmbytje dhe 4 prej tyre edhe rrëshqitje dherash

· 2 min lexim

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) paralajmëron për një përkeqësim të ndjeshëm të motit të enjten, më 26 nëntor, kur pjesa më e madhe e vendit pritet të përfshihet nga reshje intensive deri në shumë intensive shiu, të shoqëruara me shtrëngata.

Situata më problematike parashikohet në qarkun e Shkodrës, ku reshjet pritet të jenë shumë intensive. Në qarqet Kukës, Dibër dhe Lezhë parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa reshje intensive priten edhe në Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër.

IGJEO paralajmëron se në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër ekziston rreziku i vërshimeve të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe i rrëshqitjeve të dherave.

Përmbytje të lokalizuara në zonat urbane rrezikojnë shtatë qarqe: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, në varësi të gjendjes së sistemit të kanalizimeve.

Reshjet e dendura pritet të shkaktojnë gjithashtu rritje të prurjeve në lumenjtë Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Temperaturat gjatë së enjtes parashikohet të luhaten:

  • Në zonat bregdetare: 11–17°C;
  • Në zonat e ulëta: 12–18°C;
  • Në zonat malore: 3–13°C.

Krahas reshjeve intensive, vendi do të përballet edhe me erë me intensitet mesatar, ndërsa përgjatë bregdetit ajo pritet të fryjë me intensitet të fortë deri shumë të fortë.

Gjatë pasdites së sotme, reshjet parashikohen kryesisht të dobëta, deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Kukës, të shoqëruara me shtrëngata.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike kërkon kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht në zonat malore, pranë lumenjve dhe në zonat urbane të ekspozuara ndaj rrezikut të përmbytjeve.