Skip to content
Kryesore

Mijëra ndjekës, por pa NIPT/ Tatimet nisin aksionin ndaj bizneseve online

· 4 min lexim

Rritja e shpejtë e tregtisë online në Shqipëri po nxjerr në pah edhe një problem të madh informaliteti. Mijëra faqe në Instagram dhe Facebook zhvillojnë aktivitet të përditshëm, reklamojnë dhe shesin produkte, por një pjesë rezultojnë të paregjistruara ose deklarojnë qarkullim minimal. Ndërkohë, në të gjithë vendin rezultojnë vetëm 2,016 biznese të regjistruara për tregti dhe shërbime online.

Të dhënat bëhen publike në Planin Operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për sektorin, ndërsa administrata tatimore ka paralajmëruar nisjen e kontrolleve, me fokus regjistrimin e subjekteve dhe deklarimin e xhiros.

Tregtia online ka njohur një zgjerim të fortë pas pandemisë së Covid-19, e cila e shndërroi blerjen në internet nga një alternativë e përdorur nga një pjesë e kufizuar e konsumatorëve në një praktikë gjithnjë e më të zakonshme.

Për vitin 2024, rreth 43% e individëve të moshës 16-74 vjeç kanë kryer blerje online. Krahasuar me periudhën para pandemisë, blerjet online janë rritur me rreth 33%. Veshjet, këpucët dhe aksesorët, të ndjekura nga porositë e ushqimit, janë ndër kategoritë ku shitjet realizohen gjerësisht përmes faqeve në rrjetet sociale.

Pavarësisht këtij bumi, numri i subjekteve të regjistruara mbetet 2,016. Rreth 68% e tyre ndodhen në Tiranë, 76% funksionojnë si persona fizikë, ndërsa 23% janë entitete.

Plani Operacional identifikon katër tipologji kryesore të aktivitetit online dhe risqet fiskale që lidhen me secilën prej tyre.

Në shitjen online të mallrave përfshihen platformat e-commerce me shportë, faqet në Instagram dhe Facebook ku porositë kryhen me mesazh, si edhe aplikacionet celulare. Tatimet evidentojnë si risk raste të faqeve me mijëra ndjekës dhe aktivitet të përditshëm, por që janë të paregjistruara ose deklarojnë qarkullim simbolik.

Një tjetër kategori është reklamimi online. Këtu përfshihen portalet që publikojnë njoftime shitjeje kundrejt pagesës, si për prona apo automjete, por edhe postimet dhe “stories” me pagesë në rrjetet sociale nga faqe me audiencë të madhe. Risku i identifikuar lidhet me veprimtari ekonomike që nuk shoqërohen rregullisht me faturim.

Në vëmendje është edhe telemarketingu, ku qendrat telefonike kontaktojnë konsumatorët për shitjen e produkteve, shpesh në kombinim me reklamimin në rrjetet sociale. Sipas planit, një nga risqet është teleshitja e shoqëruar me shpërndarje përmes korrierëve dhe pagesë në momentin e dorëzimit, duke krijuar hapësira për fshehjen e qarkullimit.

Një rol të veçantë kanë operatorët postarë dhe korrierët. Ata kryejnë dorëzimin e produkteve dhe, në shumë raste, arkëtojnë pagesën në momentin e dorëzimit. Në planin e Tatimeve, operatorët postarë kanë një rol të dyfishtë: janë vetë objekt i kontrollit për detyrimet fiskale, por njëkohësisht të dhënat mbi dërgesat mund të shërbejnë për evidentimin dhe rindërtimin e volumit të shitjeve të bizneseve online.

Administrata Tatimore rendit pesë risqe kryesore në këtë sektor. I pari është aktiviteti i shitësve në Instagram dhe Facebook pa NIPT. Në këtë drejtim përmendet edhe kuadri BE/DAC7, që lidhet me raportimin nga platformat digjitale të identitetit dhe të ardhurave të shitësve.

Risku i dytë lidhet me deklarimin e pasaktë të qarkullimit dhe nëndeklarimin e shitjeve, veçanërisht kur pagesat kryhen “cash on delivery”. Në plan përmendet edhe CESOP, i cili krijon mundësi për analizimin e pagesave ndërkufitare, përfshirë pragun prej më shumë se 25 pagesash në tremujor për një përfitues.

Probleme të tjera të identifikuara janë punonjësit e padeklaruar, pagat e padeklaruara ose të nëndeklaruara, përfshirë praktikën e “pagës në zarf”, si dhe shmangia e regjistrimit në TVSH përmes fshehjes së qarkullimit.

Me zgjerimin e tregtisë përmes Instagramit, Facebook-ut dhe platformave të tjera, Tatimet po e vendosin tashmë sektorin online në fokus të kontrolleve. Objektivi është identifikimi i aktivitetit ekonomik të paregjistruar, verifikimi i qarkullimit real dhe kontrolli i përmbushjes së detyrimeve fiskale nga subjektet që shesin ose ofrojnë shërbime në internet.