Presidenti Ilir Meta shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të rasteve të reja dhe humbjeve në jetë për shkak të koronavirusit. Në konferencën e përjavshme, Meta theksoi se është e rëndësishme një strategji e re për të dalë sa më parë dhe të sigurt nga kjo pandemi. Po ashtu kreu i shtetit ka bërë thirrje edhe për respektimin e protokolleve.
“Te mos humbet përqendrimi në përballimin më efikas të pandemisë. Shtimi i rasteve të qytetarëve të prekur kërkojnë urgjentisht një reflektim serioz nga të gjithë. Nga instucionet, qeveria, opozita dhe nga çdo qytetar. Është e domosdoshme një strategji e re konkrete dhe afatgjatë për të përballuar dhe për të vënë nën kontroll këtë pandemi. Është i domosdoshëm një komunikim edhe më intensiv me vendet fqinje, ato të BE dhe OKB për të harmonizuar informacionin me qëllim që kjo strategji e re të na mundësojnë daljen sa më ë shpejtë nga kjo situatë. Theksoj edhe njëherë rëndësinë për të respektuar protokollet. Objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë mbrojtja e jetës së qytetarëve por edhe të ekonomisë”, u shpreh Meta.
Meta tha se do të ketë një tjetër mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare nëse është e nevojshme referuar situatës nga COVID-19. Por ndërkohë deklaroi se ka kërkuar një takim me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Ai iu bëri apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e përhapjes dhe të jenë të kujdesshëm.
“Janë zhvilluar disa mbledhje të këshillit të sigurisë kombëtare dhe padyshim dhe në të ardhmen nëse do të duhet. Kam kërkuar një takim zyrtar me ministren e shëndetësisë dhe besoj sa më shpejt do e realizojmë në mënyrë që të gjykojmë së bashku se cila do jetë mbështetja më e madhe që mund të japë presidenti. por çdo qytetar duhet të sillet vetë në mënyrë më të përgjegjshme, të kujdesshme për jetën e tij, të familjarëve, miqve kudo që jeton e punon pasi duket që ka një shkujdesje që ka sjellë një përkeqësim të treguesve dhe kjo nuk na ndihmon të hapemi as me vendet e BE. Nëse do jetë e nevojshme një mbledhje e tillë patjetër që do jetë institucioni i gatshëm për të bërë një gjë të tillë. Duhet më shumë transparencë, profesionalizëm dhe masa për mbrojtjen e personelit shëndetësor i cili është në vijën e parë të përballjes me këtë pandemi”, deklaroi Meta.
Presidenti tha po ashtu se opinionin me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese ua ka dorëzuar të gjitha institucioneve, ndërsa i kërkoi KED që të shqyrtojë kandidaturat për 3 vendet vakante në Kushtetuese.