Skip to content
Aktualitet

Merret vendimi/ Shtyhet afati i vlefshmërisë së kartave ID një muaj para zgjedhjeve

· 2 min lexim

Këshilli i Ministrave ka vendosur që afati i vlefshmërisë për kartat e Identitetit të shtyhet deri në 30 prill, 5 ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit ne mënyrë që t’u jepet mundësia për të votuar edhe qytetarëve të cilëve iu kanë skaduar letërnjoftimet. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme pas propozimit të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe sugjerimeve të kreut të KQZ, Ilirian Celibashi e opozitës. Akti normativ është botuar në fletoren zyrtare i firmosur nga zv/kryeministri Erion Braçe dhe hyn në fuqi menjëherë.

Vendimi i plotë:

AKT NORMATIV PËR

NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Neni 9/2, i ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 9/2
Dispozitë kalimtare

Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 25 prill 2021, zgjatet deri në datën 30 prill 2021.”.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE.