Komisioni i Venecias publikoi draft-opinionin final për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, e cila i jep të drejtë presidentit Meta në lidhje me kreun e KED, Ardian Dvorani.
Sipas paragrafit, ’92’ të draftit, ky i fundit shkaktoi një incident të rëndë procedurial me listat e kandidatëve për GJK si dhe u bë shkaktar i përplasjes mes Kuvendit e Presidentit.
“Çështja më problematike e shkaktuar nga vendimet e KED-së në vitin 2019 në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me kohën e përcjelljes së listave të renditjes së kandidatëve tek Presidenti dhe Kuvendi. KED formoi katër lista të kandidatëve (dy për Presidentin dhe dy për Kuvendin) më 21.09.2019; ai më pas i dërgoi Presidentit dy lista më 08.10.2019 dhe dy lista në Kuvend më 14.10.2019. Kjo shkaktoi një incident të rëndë procedurial”, Në përgjigje të pyetjes së delegacionit të Komisionit të Venecias, pse i dërgoi listat në Kuvend gjashtë ditë më vonë se ato që i ishin dërguar Presidentit, Kryetari i KED u përgjigj se përgatitja e dosjeve të plota që u dërguan së bashku me listat morën më shumë kohë. Kjo mënyrë veprimi nuk u diskutua në KED. Komisioni i Venecias nuk është në gjendje të shqyrtojë nëse shpjegimi i dhënë është i besueshëm. Sidoqoftë, do të duhet të kishte qenë e qartë se data e dërgimit të listave do të kishte pasoja të rëndësishme për shkak të zbatimit të mundshëm të emërimit të parazgjedhur në bazë të rregullit 30-ditor. Normalisht, sipas Neneve 7/a deri 7/c të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, KED duhet të respektojë afatet e rrepta gjatë procesit të emërimit. Megjithatë, afatet fillestare i shkelën që kur KED nuk funksionoi gjatë 2018, theksohet në draft.
‘Venecia’ i jep të drejtë Metës për faktit që nuk pranoi betimin e Arta Vorpsit, e cila u zgjidh automatikisht nga mekanizmi zhbllokues.
“98. Presidenti, përmes Aktit të tij të 5 nëntorit 2019, pezulloi në mënyrë të njëanshme procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar në ligj. Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet në mënyrë eksplicite nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese, ai mund të jetë në përputhje me një mekanizëm zhbllokues që ka për qëllim zhbllokimin e një situate kur ka mosveprim ose vullnet dashakeq nga njëri prej aktorëve të përfshirë. Nëse nuk ka as vullnet dashakeq dhe as mosveprim, por përkundrazi duhet të plotësohet një boshllëk ligjor, ku mekanizmi zhbllokues nuk do të ishte i zbatueshëm. Ndaj, në bazë të një interpretimi teleologjik të dispozitave ligjore, është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht.”– shkruhet në raport.