“Çoni lokacionin!” Kjo ishte një nga batutat që u dëgjua dje mes protestuesve, të cilët ironizuan kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si u organizua pjesëmarrja në aktivitetin e Partisë Socialiste në sheshin “Italia”, me rastin e 35-vjetorit të krijimit të PS-së.
Sipas protestuesve, Rama u ka kërkuar mbështetësve të tij të dërgonin vendndodhjen në kohë reale, për të konfirmuar praninë në aktivitet. Ky episod u kthye menjëherë në objekt talljeje, ndërsa protestuesit e komentuan si shenjë mosbesimi dhe pasigurie për mobilizimin e socialistëve.
“Nuk u zinte besë as të tijve”, dëgjohej të thoshin disa prej tyre, duke e lidhur kërkesën për lokacion me frikën se pjesëmarrja në aktivitet nuk ishte aq spontane sa u paraqit.
Tubimi i djeshëm u shoqërua me pankarta, thirrje dhe ironi të shumta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama. Protestuesit e përdorën episodin e “lokacionit” si një nga simbolet e ditës, duke e kthyer në batutë politike kundër kreut të qeverisë.







