Skip to content
Të Gjitha

Mbyllja e diskove, Manastirliu: Janë kthyer në vatra infeksioni. Gjobë deri në 3 mln lekë

· 1 min lexim

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se sot ka hyrë në fuqi Akti Normativ që ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.

Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, bëri me dije Manastirliu, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë (30 milionë lekë të vjetra) dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.

Ministrja theksoi se këto subjekte po sfidojnë masat e parandalimit të virusit dhe janë kthyer në vatra potenciale të shpërndarjes së tij.

Një tjetër vendim i marrë nga Qeveria është edhe ndalimi i muzikës pas orës 20:00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.

Pavarësisht vendimit për të mbyllur pub-et dhe diskot me mjedise të hapura, i njëjti vendim nuk është marrë për lokalet në qytete apo zonat bregdetare.