Skip to content
Bota

Mbyllen 4 qendrat serbe në veri, çfarë konstatoi policia

· 1 min lexim

Katër objekte të Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën e Veriut janë mbyllur pas dyshimeve për “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

Policia e Kosovës njoftoi se kishte realizuar bastisje në objektet e kësaj qendre në tri komuna me shumicë serbe në veri Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, por nuk kishte pasur arrestime. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se dyshimet lidhen me “falsifikimin e dokumenteve”.

Kontrollet ishin realizuar pas arrestimit të katër punonjësve të kësaj qendre në Zubin Potok më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.

Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë kërcënuar qytetarët dhe i kanë udhëzuar se si të votojnë, duke i lidhur me ndihmën sociale. Kjo situatë ka shkaktuar reagimin e Listës Serbe, e cila e konsideron këtë veprim si një sulm ndaj komunitetit serb dhe ka kërkuar mbrojtjen e të punësuarve dhe përfituesve të ndihmës sociale.

Lista Serbe ka bërë thirrje për dënimin e veprimeve të tilla dhe ka kërkuar mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare.