Skip to content
Të Gjitha

Mbërrijnë në ISHP vaksinat e Pfizer, ruhen në temperatura të shumë të ulëta

· 2 min lexim

Kanë mbërritur në Institutin e Shëndetit Publik 1 mijë e 170 dozat e vaksinës së kompansië “Pfizer”. Vaksinat erdhën mbërmjen e sotme në Rinas dhe pritet të injektohen në ditët në vazhdim. Proçesin e transportimit dhe vendosjes së vaksinave në frigoriferët me temperaturë -80° e ndoqi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu . Vaksinat e Pfizer kërkojnë ruajtjen në kushte të posaçme dhe temperatura shumë të ulëta.

Ardhja e 1170 dozave sipas kontratës së firmosur me kompaninë Pfizer u prit më herët në aeroport nga kryeministri Rama, ministrja Manastirliu dhe ministri Ahmehtaj. Këto doza priten të përdoren për vaksinimin e dytë të nevojshëm për mjekët që kanë marrë dozat e para në 11 janar.  Shqipëria nisi procesin e vaksinimit pak javë më parë pa bërë publik vendin që i dhuroi dozat e vaksinës. Deri tani procesi ka ecur shumë ngadalë dhe numri i vaksinave ka qenë shumë i ulët. E para që u vaksinua ishte mjekja Najada Çomo dhe pas saj kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë, shifrat e pandemisë kanë ardhur duke u rritur teksa ditën e sotme janë regjistruar 13 viktima nga virusi. Qeveria ka lënë në fuqi masat për kufizimin e orareve, vazhdimin e mësimit online dhe ndalimin e grumbullimeve në ambiente të mbyllura.