Skip to content
Kryesore

Max Amini vjen për herë të parë në Tiranë, “sold out” në 24 orë! Dyshime mbi biletat

· 2 min lexim

Tirana do të mirëpresë për herë të parë një nga emrat e njohur të komedisë ndërkombëtare stand-up. Komediani me famë botërore Max Amini do të performojë live në kryeqytet më 28 nëntor 2026, në një shfaqje që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve.

Por tre muaj përpara eventit, sigurimi i një bilete është bërë praktikisht i pamundur. Biletat, të cilat mund të rezervoheshin online përmes faqes zyrtare të Max Aminit, rezultojnë tashmë “sold out”, pasi janë shitur në kohë rekord.

Ajo që ngre pikëpyetje është shpejtësia me të cilën janë zhdukur të gjitha vendet. Vetëm një ditë pas njoftimit se komediani me famë ndërkombëtare do të vinte në Tiranë, biletat për shfaqjen e 28 nëntorit rezultuan të shitura plotësisht, duke ngritur dyshime për një rishitje të mundshme të paligjshme të tyre.

Në faqen zyrtare të artistit, eventi i 28 nëntorit figuron “sold out”. Ndërkohë, raportohet se mund të zhvillohet edhe një shfaqje e dytë më 29 nëntor, por deri më tani kjo datë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga vetë artisti.

Interesi duket se ka qenë jashtëzakonisht i lartë edhe pse çmimet e biletave nuk janë të ulëta. Ato variojnë nga 35 deri në 195 euro, në varësi të pozicionit të vendeve në sallën e Pallatit të Kongreseve, të ndara sipas kategorive dhe të shënjuara me ngjyra.

Për publikun që dëshiron ta ndjekë spektaklin nga rreshtat e parë, është parashikuar edhe kategoria “Roast Free”, ku një ulëse kushton 250 euro.

Shitja e të gjitha vendeve brenda vetëm 24 orëve nga njoftimi e ka kthyer ardhjen e Max Aminit në Tiranë në një nga eventet më të kërkuara të muajve të ardhshëm, ndërsa pikëpyetjet mbeten mbi mënyrën se si biletat u zhdukën kaq shpejt dhe nëse një pjesë e tyre mund të përfundojnë në rishitje me çmime më të larta.