Një udhëzim ndryshe nga ai që jemi mësuar deri më tani ka dalë për aplikimin e maturantëve në Universitet. Plotësimi i formularit A1 dhe A1Z këtë vit do të zhvillohet nga datat 7 deri në15 janar dhe jo në mars siç jemi mësuar zakonisht.
Maturantët duhet të plotësojnë formularin A1 dhe A1Z nga data 7-15 janar. Ky formular do të plotësohet në portalin “e-albania” dhe më pas në portalin “Matura Shtetërore 2019”, në periudhën 16 janar-6 shkurt.
Ky plan ka ardhur i përcaktuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit për të gjitha njësitë arsimore në vend dhe përcaktohet qartë edhe në rregulloren e bërë publike për maturën shtetërore 2019.
Disa student për Top Channel janë shprehur se:
“Na kanë lënë shumë pak dmth, ne ende jemi duke menduar se çfarë do të zgjedhim. Akoma se kemi ndarë mendjen, ka edhe qe e kanë menduar çdo zgjedhin por unë akoma jo për vete”, u shpreh një nxënës.
“Nuk mendoj sa kohë duhet të zgjedh për lëndën, e kam ndarë mendjen”.
“Shpejt është, do ishte më mirë në fund të vitit shkollor, që të mos gabosh në zgjedhje”.
“Jo nuk është koha e mjaftueshme, është shpejt janari”, u shprehën disa studentë të tjerë.
Edhe pse në rregullore thuhet se brenda datës 24 dhjetor në faqen zyrtare të QSHA-së dhe Ministrisë së Arsimit do të shpalleshin formularët dhe udhëzuesit për plotësimin online, një gjë e tillë nuk ka ndodhur as dy ditë më vonë nga afati. Një risi tjetër e këtij viti është se maturantët nuk do të kenë më pesë provime, por do t’i nënshtrohen një provimi më pak, pasi nga dy lëndë alternative do të zgjedhin vetëm një.