Marjana Koçeku denoncon sulmet pas largimit nga PS: Po përballem me ushtri patronazhiste dhe profilet e rreme që më kërkojnë mandatin

Deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua disa javë më parë nga Partia Socialiste dhe vijon mandatin si e pavarur, ka denoncuar një fushatë sulmesh të organizuara ndaj saj në rrjetet sociale.
Përmes një reagimi publik, Koçeku thotë se prej ditësh po përballet me një “ushtri virtuale patronazhistësh” dhe profile të rreme, të cilat i kërkojnë të dorëzojë mandatin. Ajo thekson se largimi nga mandati do të ishte i lehtë, por sipas saj, tërheqja në këtë moment do të nënkuptonte hapje rruge ndaj së keqes.
Deputetja e pavarur akuzon se sulmet ndaj saj po kryhen nga “mercenarë virtualë”, të organizuar nga funksionarë shtetërorë, vetëm sepse ka zgjedhur pavarësinë e përfaqësimit në Parlament.
Në reagimin e saj, Koçeku ngre edhe shqetësimin për përdorimin masiv të profileve të rreme në debatet publike, duke thënë se bashkitë janë kthyer në “garnizone” të këtyre strukturave online.
Reagimi i plotë:
“Prej disa ditësh po përballem në rrjetet sociale me nji ushtri virtuale patronazhistësh e profilesh të rreme që më kërkojnë me e lanë mandatin.
Me e lanë mandatin e kam shumë të lehtë. Por nuk jam mësue me i hapë rrugë të keqes, që ka marrë edhe formën e këtyne mercenarëve virtualë, të organizuem prej komandantëve të tyne – funksionarë të këtij shteti – për me përbaltë e me denigrue veç pse kam zgjedhë pavarësinë e përfaqësimit në parlament.
Thuhet se janë diku 800 mijë profile të tilla që qarkullojnë. Bashkitë janë kthye në garnizone të këtyne mercenarëve dhe ushtrojnë presion të përditshëm përmes fjalës nëpër komente e postime.
Kurrë nuk asht keqpërdorë fjala ma shumë në historinë e demokracisë së këtij vendi. Dhe tash në kohë proteste vërehet mobilizimi total i tyne për me shkatërrue e denigrue çdokend që i del kritik qeverisë.
E kam ditë se çmimi i të folunit lirshëm ka me qenë i naltë, por heshtja do kishte kushtue shumë ma tepër në këtë republikë që kërkon me i luftue qytetarët e vet me fantazma, hije patronazhistësh dhe profile false.
Kjo nuk duhet me qenë republika e fallsitetit dhe e fantazmave online”, shkruan Marjana Koçeku.
