Lulzim Basha bashkëbisedon virtualisht me qytetarët. Bën akuzën e fortë dhe tregon planet e PD-së

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi ditën e sotme një bashkëbisedim ‘live’ me ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook”.

Basha foli rreth problematikave aktuale në vendin tonë, si dhe hapat e ardhshëm që do ndërmarrë opozita jashtëparlamentare.

Ndër të tjera, ai bëri dhe një deklaratë të fortë teksa komentoi Kirurgjinë e re në “Qendrën Spitalore Nënë Tereza”.

Sipas tij, ka pasur raste kur pacientët kanë ndërruar jetë pasi për të shkuar nga ‘Urgjenca’ në sallat e operacionit duhet goxha kohë.

Ai akuzoi se fasada e QSUT po merr jetë njerëzish, ndërsa shtoi se nga një kapacitet prej 12 sallash operacioni, sot ‘Kirurgjia’ ka 6 të tilla.

Kam qenë edhe do vij në QSUT. E kam dëgjuar edhe nga mjekët javën e kaluar se çfarë gjendje ndodhet jo vetëm pediatria, por e gjithë QSUT. Nuk ka gjë që përmbledh më mirë konceptin e fasadës sesa ajo që po bëhet në QSUT. Sapo u inaugurua kirurgjia e re nga 12 kemi 6 salla. Nga 120 kemi 60 shtretër. Po ta shohësh nga kronikat televizive, po, fasada është e bukur, të merr më qafë. Po të futesh brenda kemi gjysmë e kapaciteteve që kishte. Për të mos u futur në detaje të tjera të tmerrshme që kam dëgjuar nga profesionistët se si mënyra dhe koha e komunikimit nga një repart i urgjencës në një repart tjetër është zgjatur në krahasim me çfarë ishte. Pra nëse të duheshin një minutë apo dy minuta për të kaluar nga emergjenca në sallë operacioni tani duhet të kalosh në 2-3 ashensorë për hir të fasadës.
Kanë filluar vdekjet e atyre pacientëve të cilëve mund t’i shpëtohej jeta nëse thelbi do kishte prevaluar mbi fasadën. Fasada në këtë rast tekstualisht po vdes njerëz në QSUT”, -pohoi ai.

Po planet e Partisë Demokratike?

Basha u shpreh se PD ka një plan të qartë qeverisjeje, duke thënë se disponon burimet njerëzore më të mira, për të sjellë në krye ajkën e kombit.

Ai theksoi se programi i tij ‘Ndiq paranë’ do t’u japë zgjidhje njëherë e mirë koncesioneve dhe Partneritetit Publik-Privat që po varfërojnë xhepat e qytetarëve.

I pyetur se çfarë do të bëjnë me PPP kur të vijnë në pushtet, Basha tha se do të hetohen të gjitha.

Do të hetohen të gjitha PPP nga e para tek e fundit. Parimi ‘Ndiq Paranë’ do të merret pikërisht me të. Kushdo që ka përdorur paratë e shqiptarëve për të pasuruar xhepin e tyre do të ndiqen dhe do i kthehen shqiptarëve’ tha Basha.

Teksa një qytetar e pyeti rreth sistemi zgjedhor, kreu i PD tha se partia që ai drejton kërkon votim elektronik, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një votim i lirë dhe të shmanget shitblerja e votës.

Basha tha se “do të bëjë gjithçka që të realizohet votimi dhe numërimi elektronik. Votimi elektronik dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar në tryezën e Reformës Zgjedhore.”

 

Shpërndaje
Share.

Komento