Një raund i ri bisedimesh ka nisur mes ndërmjetësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për të penguar përshkallëzimin e konfliktit në një “luftë” të hapur tregtare.
Në tryezën e bisedimeve dyditore nuk janë të ulur përfaqësuesit e “vijës së ashpër” në Uashington, por u preferua një delegacion nën drejtimin e të ngarkuarit të moderuar për çështjet tregtare, Jeffrey Gerrish.
Nga pala kineze nuk dihet se kush i drejton negociatat. Edhe për përmbajtjen e tyre, pak është bërë e ditur.
Në Pekin thuhet vetëm se, fokusi do të jetë te produktet agrare, energjia dhe automjetet. Në fakt bëhet fjalë për më shumë.
Të dyja palët duan të sigurojnë një lloj armëpushimi në “luftën” tregtare, që fillimisht do të zgjasë deri më 2 mars. Për këtë afat ra dakord presidenti Trump, në takimin me presidentin kinez Xi Jinping, në Samitin e G20-s në Buenos Aires.