Skip to content
Kryesore

“Larg duart nga Patosi”/ Qytetarët ngrihen në protestë kundër reformës territoriale: Nuk pranojmë bashkimin me Fierin

· 2 min lexim

Dhjetëra qytetarë u mblodhën sot përpara Bashkisë Patos për të protestuar kundër reformës së re administrative dhe propozimit për shkrirjen e Bashkisë Patos, duke e bashkuar atë me Bashkinë Fier.

Me sloganin “Larg duart nga Patosi”, protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj çdo vendimi që, sipas tyre, rrezikon të zhbëjë identitetin dhe të ardhmen e qytetit. Ata e cilësuan reformën si një tjetër goditje për Patosin, duke paralajmëruar se një bashkim i tillë do të përshpejtonte shpopullimin dhe do ta linte qytetin pa zërin dhe përfaqësimin e tij.

“Jemi të zhgënjyer, nuk duam të bashkohemi me Fierin”, u shpreh një prej qytetarëve gjatë protestës.

Banorët kujtuan se Patosi është një qytet i ndërtuar mbi industrinë e naftës dhe se breza të tërë naftëtarësh kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe historinë e tij. Për këtë arsye, ata theksuan se qyteti nuk mund të trajtohet thjesht si një njësi në hartën administrative, por duhet të respektohet historia, identiteti dhe roli i tij.

Protestuesit kërkuan që çdo ndryshim i hartës territoriale të mos vendoset pa konsultim me komunitetin lokal. Sipas tyre, vendime të tilla duhet të merren vetëm pasi të dëgjohet zëri i banorëve dhe të vlerësohen nevojat reale të qytetit, duke shmangur masa që, sipas tyre, rrezikojnë të zbehin identitetin dhe perspektivën e Patosit.