Skip to content
Kryesore

Dubai, parajsa e të kërkuarve për trafik droge/ Corriere della Sera zbulon lidhjet e Eneo Carkës dhe Sheval Muaremit me mafien ndërkombëtare, ekstradimin e Denis Matoshit dhe pasurinë 17 milionë euro të ish-gruas së tij

· 3 min lexim

Një investigim i gazetës italiane “Corriere della Sera” hedh dritë mbi rrjetet shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës, lidhjet e tyre me organizatat mafioze italiane dhe Amerikën Latine, si dhe rolin e Dubait si vendstrehim për persona të kërkuar nga drejtësia.

Në qendër të investigimit janë Eneo Carka, i njohur si “Napoleoni”, Sheval Muaremi dhe Denis Matoshi, i njohur edhe si Eldi Dizdari, emra të lidhur nga hetuesit me trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sipas gazetës italiane, 49-vjeçari Sheval Muaremi konsiderohet një prej figurave kryesore të klanit të Sarajit, në periferi të Shkupit. Ndaj tij rëndojnë urdhërarreste për vrasje, organizatë kriminale dhe trafikim të sasive të mëdha të kokainës.

Muaremi jeton prej dy vitesh në Dubai, ku publikon edhe fotografi në rrjetet sociale. “Corriere della Sera” thekson se pengesat në bashkëpunimin për ekstradimet me Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vështirësuar dorëzimin e personave të kërkuar, ndërsa sipas investigimit, Muaremi vijon të menaxhojë nga distanca aktivitetet e tij.

Një tjetër emër i rëndësishëm është 44-vjeçari Eneo Carka, i njohur me nofkën “Napoleoni”, të cilin hetuesit e disa vendeve, përfshirë Italinë, e konsiderojnë person me rrezikshmëri të lartë.

Emri i Carkës lidhet me transportimin e sasive të mëdha të kokainës drejt Belgjikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe rajonit të Ligurias në Itali, veçanërisht La Spezias.

Sipas investigimit, ai përdor sisteme të sofistikuara komunikimi që vështirësojnë përgjimet dhe zotëron katër gjuhë: shqip, anglisht, italisht dhe spanjisht.

Drejtoria italiane e Antimafias ka evidentuar gjithashtu lidhjet e tij në Milano, ku një shqiptar 46-vjeçar, banues në rrugën Chiarelli të lagjes Gallaratese, dyshohet se është përfshirë në pritjen e ngarkesave të kokainës dhe kryerjen e pagesave.

Investigimi përshkruan edhe marrëdhëniet e ndërlikuara të Carkës me mafien kalabreze ’Ndrangheta. Sipas përgjimeve të Guardia di Finanza, Rocco Morabito, një prej figurave kryesore të kësaj organizate, ka shprehur pakënaqësi ndaj klaneve shqiptare.

Megjithatë, gazeta italiane shkruan se brezi i ri i mafiozëve kërkon bashkëpunimin me Carkën për shkak të rolit që dyshohet se ka në furnizimin me kokainë.

Madje, sipas artikullit, vetë Carka pretendon se ka kontakte të drejtpërdrejta me Dairo Antonio Úsuga, i njohur si “Otoniel”, ish-drejtues i kartelit kolumbian të Gjirit.

Investigimi ndalet edhe te Denis Matoshi, 37 vjeç, i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash. Pas një periudhe të gjatë qëndrimi në Dubai, ai u ekstradua në Belgjikë rreth një muaj më parë, pas kërkesave të autoriteteve belge.

Ndërkohë, në Emiratet e Bashkuara Arabe vijon të jetojë ish-bashkëshortja e tij, Suada Sherifi, ish-Miss Shqipëria.

Sipas autoriteteve belge, Sherifi zotëron pasuri të paluajtshme në Emirate me vlerë rreth 17 milionë euro. Gazeta italiane shkruan gjithashtu se ajo organizon festa luksoze në Dubai me partnerin e saj të ri, të përshkruar si një shtetas arab i pasur.

Në investigim përfshihet edhe vlerësimi i Xhelal Nezirit, president i Institutit Ballkanik për Median dhe Demokracinë (BIRC), mbi ndikimin e krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut:

“Çdo shtet e ka mafien e vet, por tek ne shpesh krijohet përshtypja se është mafia ajo që ka në pronësi një shtet”.

Investigimi i “Corriere della Sera” ngre shqetësimin për shtrirjen ndërkombëtare të rrjeteve kriminale shqiptare dhe vështirësitë e autoriteteve europiane për të goditur drejtuesit e dyshuar të tyre, veçanërisht kur këta qëndrojnë jashtë juridiksioneve ku zhvillohen hetimet.