Skip to content
Të Gjitha

Laboratori i drogës në Fier: Me shapka shtëpie e kokën ulur, nënë e bir dalin para gjykatës

· 2 min lexim

Dy ditë më parë, u finalizua operacioni “Laboratori” në Fier, ku u arrestuan në flagrancë nënë e bir, Qamile Kapaj, 48 vjeçe dhe Anxhelo Kapaj 22-vjeç, pasi banesën e tyre në fshatin Mbrostar e kishin kthyer në një laborator për kultivimin e kanabisit.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim kryefamiljari Aleksandër Kapaj dhe një  person me iniciale F.B nga Kosova, të cilët akuzohen se janë bashkëpunëtorë në rritjen e drogës, teksa Policia ka proceduar penalisht edhe 3 elektricistë, G.M, E.M. dhe B.Q, pasi duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në banesën e 53-vjeçarit.

Policia ka  sekuestruar 312 fidanë kanabis, pajisje të cilat kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike si dhe një pajisje presimi.

Ditën e sotme, të dy, nënë e bir, janë shfaqur me pranga në duar, me shapka shtëpie e kokën ulur, ndërsa transportoheshin nga paraburgimi drejt gjykatës.

Gjykata e Fierit ka vendosur masën “arrest me burg” për Anxhelo Kapajn dhe “arrest shtëpie” për Qamile Kapajn.

Mbi të arrestuarit dhe personat në kërkim rëndojnë veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.