Skip to content
Kryesore

Kush ishte “Milton”, portugezi i vrarë në Ksamil? 20-vjeçari i rritur në Nicë njihej si ndërmjetës i konflikteve, dëshmitë zbardhin natën e krimit

· 9 min lexim

Detaje të reja kanë dalë në dritë për jetën dhe minutat e fundit të Luis Miguel Varela Mendes, 20-vjeçarit portugez me banim në Francë, i cili u vra me thikë më 18 gusht në Ksamil. Ndërsa dëshmitë e miqve që ndodheshin me të hedhin dritë mbi mënyrën se si nisi dhe u përshkallëzua konflikti, gazeta franceze Nice Matin ka sjellë një tjetër anë të historisë: atë të të riut që në Nicë njihej nga të gjithë si “Milton”, një djalë “shumë i dashur dhe shumë i respektuar”, që përpiqej të qetësonte konfliktet.

Mendes ishte zhvendosur në Nicë kur ishte vetëm 11 vjeç. Ai kishte ndjekur shkollën Vernier dhe më pas ishte vendosur në lagjen Gambetta. Në shoqatën La Semeuse njihej me nofkën “Milton”, ndërsa ndiqej dhe mbështetej nga ekipet e qendrës sociale La Ruche, në rrugën Trachel, ku merrte pjesë në aktivitete të posaçme për adoleshentët dhe të rinjtë.

Vrasja e tij në Shqipëri ka tronditur komunitetin ku 20-vjeçari ishte rritur.

“U informova mjaft shpejt. Miltoni i ri ishte shumë i dashur dhe shumë i respektuar në lagje. Ai kishte një rol si ndërmjetës. Gjithmonë përpiqej të qetësonte konfliktet”, tregon Christophe Tassano, drejtor i përgjithshëm i shoqatës.

Ironikisht, Shqipëria nuk ishte destinacioni që Mendes dhe miqtë e tij kishin planifikuar fillimisht për pushime. Sipas Nice Matin, grupi duhej të nisej më 26 gusht drejt Spanjës, në kuadër të programit “Sac à dos”, të organizuar nga fondi i ndihmave familjare. Për shkak të vonesave në organizimin e udhëtimit, të rinjtë vendosën të udhëtonin me paratë e tyre drejt Shqipërisë, pa hequr dorë nga plani për të shkuar më pas në Spanjë. Christophe Tassano ka deklaruar se mësuesit ishin përpjekur t’i bindnin të rinjtë që të mos udhëtonin drejt Shqipërisë.

Por udhëtimi përfundoi tragjikisht në orët e para të 18 gushtit.

Luis Miguel Varela Mendes dhe gjashtë miqtë e tij kishin festuar në klubin “Principote” në Ksamil dhe më pas kishin vijuar qëndrimin në zonën e plazhit. Pikërisht aty, sipas dëshmive të miqve të viktimës, nisi konflikti që përfundoi me vrasjen e 20-vjeçarit.

Adib Ghanmi, një nga personat që ndodhej me Mendes, ka deklaruar se grupit iu afrua një i ri shqiptar, rreth 25-30 vjeç, i cili fliste frëngjisht. Sipas tij, personi ofendoi nga nëna njërin prej shokëve të grupit dhe më pas situata u kthye në përleshje fizike.

“Ne ishim shtatë shokë. Po festonim në klub ‘Principote’. Pasi mbaroi festa po qëndronim në plazh. Aty ka ardhur një person, i cili ishte veshur me rroba të shkurtra me ngjyrë jeshile, i moshës 25-30 vjeç, trup normal, flokë të shkurtra. Ishte shqiptar, por fliste frëngjisht dhe ofendoi nga nëna një shokun tim, i cili i thotë që: Pse shan? Nëna është e shenjtë. Ai më pas e goditi me kokë shokun tonë dhe, ne u futëm të gjithë në konflikt. Më pas erdhi një person, i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka goditur një shokun tim i quajtur Tourpal me thikë në këmbë dhe më pas ka goditur dhe shokun tjetër, i cili u vra me thikë në zemër. Në këtë moment, njerëzit nisnin të bërtisnin, dhe drejt nesh kanë ardhur rreth 10-15 veta security, të cilët nuk jam i sigurt nëse u futën në konflikt. Personin që qëlloi me kokë, unë e kapa nga duart, por ai më shtyu dhe unë kam rënë në ujë,” thuhet në dëshminë e Ghanmit.

Një version të ngjashëm ka dhënë edhe Ibraim Leimoeiv, një tjetër pjesëtar i grupit. Ai ka deklaruar se, pasi kishin dalë nga “Principote”, të rinjtë ishin vendosur te shezlongët, kur një person që fliste pak frëngjisht iu afrua dhe u kërkoi të qetësoheshin, duke i kërcënuar dhe ofenduar.

Leimoeiv përshkruan më pas një person tjetër, të veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë, me flokë të gjatë gështenjë dhe pak mjekër, i cili mbante thikë.

“Aty ka ardhur një person, i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri që fliste pak frëngjisht, i cili na thotë qetësohuni, duke na kërcënuar dhe sharë nga nëna. Ai më pas goditi me thikë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt. Gjatë konfliktit erdhën dhe persona të tjerë dhe kam parë një person i veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë me flokë të gjata gështenjë, me pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas iu drejtua Luis Miguelit. Ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Luis Miguel. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim duke i vendosur një bluzë te plaga”, është shprehur Leimoeiv.

Gjatë marrjes në pyetje, të dy dëshmitarët kanë deklaruar se mund ta identifikonin personin me thikë. Pasi hetuesit u kanë treguar fotografinë e Sokrat Vatës, ata e kanë identifikuar atë si personin që, sipas dëshmive të tyre, mbante thikën dhe goditi pjesëtarët e grupit.

Sipas hetimeve, Luis Miguel Varela Mendes u vra rreth orës 05:15 të 18 gushtit. Konflikti kishte nisur pas festës në “Principote” dhe më pas kishte vijuar në plazhin e “Paradise”. Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, 29 vjeç, dyshohet se e goditi disa herë me thikë 20-vjeçarin, ndërsa David Heurtevent, 29 vjeç, i shpallur në kërkim, dyshohet se e goditi me grushte. Të dy akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim.

Në konflikt, sipas policisë, u përfshinë edhe katër kamarierët e “Principote”, Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, të cilët dyshohet se goditën me grushte 20-vjeçarin dhe më pas u larguan.

Në lokal ndodheshin gjithashtu Miosid Matushaj, Luciano Seferi, punonjës i IEVP Fier, Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër, dhe Kristi Koshi, të cilët kishin rolin e truprojave. Sipas hetimeve, ata nuk ndërhynë për të parandaluar konfliktin dhe nuk njoftuan policinë pas ngjarjes. Për këtë arsye akuzohen për moskallëzim të krimit, ndërsa Miosid Matushaj edhe për mosmarrje të masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme.

Në vendngjarje ndodhej edhe pronari i “Principote”, Bekim Bulica, i cili pas krimit u largua dhe është shpallur në kërkim për moskallëzim të krimit.

Në total janë arrestuar 11 persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Përveç Sokrat Vatës, në pranga u vunë shtetasit turq Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, dhe Ezgi Perlak, 31 vjeçe, të cilët sipas policisë e ndihmuan autorin e dyshuar të largohej.

Vata u kap në Levan të Fierit, i fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga Perlak, ndërsa Mahmutoglu ishte pasagjer. Sipas policisë, dy shtetasit turq kishin njohje me Vatën dhe synonin ta transportonin drejt Tiranës. Ata u arrestuan për “Përkrahje të autorit të krimit”.

Gjykata caktoi masën “Arrest me burg” për Sokrat Vatën. Para gjykatës, ai u kërkoi falje familjarëve të viktimës dhe shprehu pendesë. Në dëshminë e tij, Vata dha një version tjetër për dinamikën e konfliktit, duke pretenduar se grupi i turistëve kishte sharë dhe goditur stafin pasi iu ishte kërkuar të ruanin qetësinë. Ai pretendoi gjithashtu se thikën ia kishte marrë portugezit ndërsa përpiqej ta neutralizonte dhe të vetëmbrohej.

Gjykata caktoi burg pa afat edhe për Ezgi Perlak dhe Nuh Mahmutoglu. Kamarierët Ildi Cekani, Serxhi Selimi dhe Ervis Bunci do të qëndrojnë në burg për 45 ditë, ndërsa truprojat Luciano Seferi, Miosid Matushaj, Romeo Shehu dhe Kristi Koshi, si dhe kamarieri Murat Zhabina, u lanë në detyrim paraqitjeje. Bekim Bulica dhe David Heurtevent vijojnë të jenë në kërkim.

Ndërkohë, në Nicë, vrasja e “Miltonit” ka mobilizuar komunitetin që e njihte prej vitesh. Që prej momentit kur u mësua lajmi, ekipet që kishin punuar me të janë angazhuar për të mbështetur familjen. Drejtoresha e qendrës sociale La Semeuse po ofron mbështetje, ndërsa Metropoli Nice Côte d’Azur është vënë në dijeni dhe ka angazhuar ndërmjetësit për qetësinë publike.

“Ne gjithashtu i drejtojmë personat që kanë nevojë drejt shërbimeve të ndihmës dhe mbështetjes për viktimat, të ngritura në bashkëpunim me Metropolin. Ekipi i parandalimit të specializuar ka forcuar praninë në zonat e prekura dhe mban një lidhje të ngushtë me të rinjtë, përfshirë edhe ata që ndodheshin me Miltonin në Shqipëri,” shpjegon Christophe Tassano.

Tragjedia e ka gjetur familjen Mendes në një moment tjetër të vështirë. Sipas Nice Matin, apartamenti i tyre ishte shkatërruar së fundmi nga një zjarr dhe prindërit e 20-vjeçarit janë akomoduar në një hotel në lagjen Saint-Charles.

Familjes i duhet tashmë të përballojë edhe procedurat dhe kostot për riatdhesimin e trupit të Luis Miguel Varela Mendes nga Shqipëria në Portugali, si dhe të sigurojë asistencën e një avokati në Shqipëri për procedurën gjyqësore që sapo ka nisur.

Në bashkëpunim me familjen është hapur një llogari për mbledhjen e fondeve. Deri të premten ishin grumbulluar mbi 6,300 euro. Përveç La Semeuse, është mobilizuar edhe shoqata Dix Étoiles, aktive në mbështetjen e komunitetit të Kepit të Gjelbër në Nicë, për të qëndruar pranë familjarëve të Mendes gjatë procedurave që i presin.

Kështu, pas emrit të 20-vjeçarit që prej ditësh është në qendër të kronikës së zezë në Shqipëri, mediat franceze sjellin historinë e “Miltonit”: një i ri që kishte mbërritur në Nicë në moshën 11-vjeçare, ishte rritur mes komunitetit të Gambetta-s dhe, sipas njerëzve që e njihnin, kishte fituar respekt pikërisht sepse përpiqej të ndërmjetësonte dhe të qetësonte konfliktet. Një udhëtim në Shqipëri, që nuk ishte pjesë e planit fillestar të pushimeve të tij, përfundoi me vrasjen që tashmë është objekt i një hetimi me 11 të arrestuar dhe dy persona në kërkim.