Dokumenti i projekt-kuadrit negociues, i paraqitur nga Komisioni të mërkurën, është tepër i gjatë dhe përmban shumë terma dhe referenca të gjuhës teknike të BE-së. Në thelb ai përmban rregullat që do të kushtëzojnë rrugëtimin evropian të vendit, të cilat janë shtrënguar dhe vështirësuar shumë.
Euronews Albania bëri një përmbledhje të thjeshtëzuar të çështjeve kryesore. Teksti nis me pjesën e parimeve që udhëheqin negociatat, të cilat janë 25 gjithsej, por më poshtë vijojnë të përmbledhura.
Parimet që udhëheqin negociatat:
Procesi do të jenë i bazuar në artikullin 49 të Traktatit të BE-së dhe negociatat do të bazohen vetëm në meritat e vendit, ndërsa përparimi do të varet vetëm nga plotësimi i kërkesave për anëtarësim.
Negociatat do të hapen mbi bazën se Shqipëria respekton dhe është e angazhuar në promovimin e vlerave mbi të cilat është themeluar BE, si respekti për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, rendin ligjor dhe respektin për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve.
Negociatat hapen gjithashtu mbi bazën se Shqipëria ka arritur një nivel të lartë përputhjeje me kriteret e anëtarësimit. Përparimi i vendit do të matet në veçanti nëpërmjet përmbushjes dhe respektimit të kërkesave që burojnë nga Kriteret e Kopenhagës, dhe të detyrimeve që burojnë nga Procesi i Stabilizim-Asociimit.
Substanca e negociatave do të zhvillohet në Konferencën Ndërqeveritare me pjesëmarrjen e të gjithave vendeve anëtare dhe të Shqipërisë. Vendet anëtare do të kontribuojnë sistematikisht në proces, duke monitoruar në terren me ekspertët e tyre, me kontribut direkt në raportet vjetore dhe me ekspertizë sektoriale.
35 kapitujt e negociatave do të organizohen tashmë në disa grupe tematike kapitujsh, dhe fokusi do të vijojë të jetë tek reformat thelbësore të rendit ligjor, në veçanti reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit, të drejtat themelore, kriteret ekonomike, funksionimi i institucioneve dhe administratës publike etj.
Për këtë arsye, negociatat do të çelen pikë së pari me grupin e kapitujve thelbësorë, të cilët do të jenë gjithashtu të fundit që do të mbyllen, dhe asnjë grup tjetër kapitujsh nuk mund të hapet dhe as të përparojë para këtij.
Shqipëria duhet të përgatisë një udhërrëfyes për kapitujt e rendit ligjor, ku pas udhëzimeve të Komisionit, do të përcaktohen dhe masat paraprake që do të duhet të përmbushen për çeljen e këtij grupi të parë kapitujsh të negociatave. Vendi do të duhet të përgatisë gjithashtu një tjetër udhërrëfyes për funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën e administratës publike.
Në këto dy udhërrëfyes të parë që do të shoqërohen me plane dhe masa konkrete dhe me afate të qarta veprimi, do të përfshihen edhe kushtet e Këshillit (të Bundestagut) plotësimi i të cilave duhet të vijojë pas konferencës së parë ndërqeveritare.
Vendimet e Këshillit për hapjen apo mbylljen e grupeve të kapitujve të negociatave do të marrin parasysh aftësitë administrative të vendit në fushat përkatëse. Për më shumë, politikat anti-korrupsion do të përfshihen dhe përmbushja e tyre do të kushtëzojë të gjithë kapitujt relevantë.
Në rast të shkeljeve serioze dhe të vazhdueshme nga Shqipëria të vlerave ku bazohet BE, Komisioni mund të nisë vetë, apo me rekomandimin e një vendi anëtar, procedurën e pezullimit të negociatave dhe të propozojë kushte për ri-nisjen e mundshme të tyre.
Në rast të zvarritjeve apo hapave seriozë mbrapa të vendit në zbatimin e reformave në grupin e kapitujve thelbësore, apo kur përparimi në këtë grup mbetet pas grupeve të tjera, Komisioni mund të pezullojë çeljen apo mbylljen e kapitujve të tjerë.
Tashmë sipas metodologjisë së re, edhe pasi një kapitull apo grup kapitujsh është mbyllur përkohësisht, nëse Shqipëria nuk e vijon zbatimin e tij apo nëse shënon hapa pas, Komisioni mund të rekomandojë ri-hapjen nga fillimi të negociatave për atë kapitull.
Dhe edhe qëllimi dhe madhësia e fondeve të para-anëtarësimit mund të kufizohen në raste të tilla, përveç fondeve për mbështetjen e shoqërisë civile në vend. Për të garantuar transparencë dhe besim, qëndrimet e BE-së do të bëhen publike pas miratimit.
Dhe pas gjithë kushtëzimeve dhe shtrëngimeve të reja në këtë proces, në një prej parimeve të përfshira vjen dhe pjesa e shpërblimeve. Nëse vendi përparon mjaftueshëm në reforma, kjo do të çonte në një integrim më të afërt, dhe në qasjen ndaj programeve, tregjeve dhe politikave të veçanta të BE-së, si dhe një rritje të fondeve dhe të investimeve.
Substanca e negociatave
Anëtarësimi nënkupton pranimin e të drejtave dhe të detyrimeve që lidhen me legjislacionin e BE-së, i njohur si “acquis”. Shqipëria duhet ta pranojë këtë legjislacion siç është, dhe të garantojë zbatimi e tij në kohë dhe me efikasitet.
Legjislacioni evropian ndryshon vazhdimisht dhe në veçanti përfshin, përmbajtjen, parimet, vlerat dhe qëllimet politike të Traktateve ku bazohet BE, aktet e miratuara nga institucionet dhe vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, si dhe të gjitha aktet e tjera, rezolutat, deklaratat apo rekomandimet, si dhe të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të BE-së.
Ndër të tjera, Shqipëria do të duhet ta përkthejë legjislacionin në kohë dhe të përgatisë numrin e kërkuar të përkthyesve dhe interpretëve të specializuar për mirëfunksionimin e BE-së kur vendi të anëtarësohet.
Ky dokument do të pasurohet dhe me pjesë të tjera dhe me qëndrimet e vendeve anëtare, para miratimit prej tyre dhe para se të përcaktohet data për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.