“Vajzën e vogël, e kam dërguar në shkollë jashtë me konvikt e izoluar, sepse nuk dua që ajo të rrezikojë”, ka thënë Monika Kryemadhi mbrëmjen e sotme e ftuar në emisionin “Open”.
Kryetarja e LSI-së ka deklaruar se është kërcënuar me jetë në rrjetet sociale dhe pas verifikimeve që ka bërë këto kërcënime kanë ardhur nga persona tashmë të identifikuar si anëtarë të grupeve kriminale politike.
Kjo e ka shtyrë Kryemadhin që të sigurojë vajzën e saj të vogël duke e çuar në një konvikt, megjithatë ku janë dy fëmijët e saj të tjerë?
Megjithatë ky është rrëfimi i Kryemadhit:
“Vajzën e vogël, e kam dërguar në shkollë jashtë me konvikt e izoluar, sepse nuk dua që ajo të rrezikojë, sepse duhet të garantoja jetën e vajzës. Unë jam kërcënuar në rrjetet sociale, e jo vetëm”, u shpreh ajo, duke shtuar se edhe pse ka kontaktuar me policinë nuk ka besim në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, e po mundohet t’i zgjidhë vetë këto çështje.
Për më tepër Kryemadhi ka thënë se Meta nuk pranon që të shprehet për këtë çështje.
“Nëse Meta do të ishte më i vërtetë me publikun do të ishte më i mirë, por për të është më i rëndësishëm imazhi i institucionit sesa loja politike”, tha ajo.
“Jeta e një politikane mund të duket e bukur, por edhe ajo është e vështirë. Do të doja që të isha Zonjë e Parë, e besoj do ta bëja mirë këtë rol, por dua që të qëndrojë LSI deri sa të rinjtë të jenë gati për ta drejtuar”, u shpreh Kryemadhi.