Skip to content
Politikë

KQZ u çon letër partive politike, PS dhe PD marrin urdhrin e prerë!

· 2 min lexim

Një javë para zgjedhjeve të 25 prillit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve iu është drejtuar me një kërkesë për marrje masash dy partive më të mëdha në vend, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Shkresa e drejtuar dy partive kryesore në vend, ka të bëjë në lidhje me rregullat që janë vendosur për fushatën zgjedhore.

Sipas KQZ-së, këto rregulla nuk janë zbatuar. KQZ kërkon nga Partia Demokratike heqjen e posterave propagandistikë nga godina e Universitetit Politeknik të Tiranës. KQZ i drejtohet PS-së, heqjen e materialeve propagandistike në Gjirokastër, pasi sipas tyre janë afishuar materiale propagandistike elektorale.

Kështu, KQZ thekson se ndalohet në mënyrë taksative afishimi i materialeve propagandistike në: fasadat e godinave të banimit, institucionet publike apo ambientet rrethuese pranë e rreth tyre, brenda zonave rekreative, parqeve, në pemët e qytetit dhe në shtyllat e ndriçimit, gjë të cilën, sipas këtij institucioni, PD nuk e ka zbatuar. Lidhur me këtë, KQZ i kërkon PD-së të heqë menjëherë të gjitha materialet e vendosura në ambientet e cituara më lart.

Ndërkohë, KQZ i drejtohet me letër edhe PS-së, ku shprehet se partitë politike duhet të zhvillojnë një fushatë zgjedhore të qetë, duke shmangur politikat e polarizimit dhe retorikat denigruese ndaj kundërshtarëve, e duke treguar vetëpërmbajtje gjatë dhënies së mesazheve politike, edhe nëpërmjet materialeve propagandistike. “Duke marrë shkas nga fakti i bërë publik i afishimit të dy materialeve propagandistike elektorale, në Bashkinë Gjirokastër, ju kërkojmë të merren masa të menjëhershme për heqjen e tyre”.