Kostot e karburantit “shkurtojnë” autobusët/ Nga 1 shtatori reduktohet flota me 20-30%, operatorët kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë

Nga 1 shtatori, transporti publik pritet të përballet me reduktim të ndjeshëm të mjeteve në qarkullim. Operatorët kanë njoftuar se do të detyrohen të ulin flotën me rreth 20-30%, duke paralajmëruar më pak autobusë, intervale më të gjata pritjeje dhe mbingarkesë të mjeteve që do të vazhdojnë shërbimin.
Shkak, sipas operatorëve, është pamundësia financiare për të përballuar kostot e operimit me kapacitet të plotë, veçanërisht shpenzimet për karburantin. Ata i janë drejtuar Kryeministrisë duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe realizimin e kompensimit të parashikuar për këto kosto.
“Për këtë arsye, njoftojmë se duke filluar nga data 01.09.2026, operatorët e transportit publik do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20–30%, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional që secili operator ka aktualisht në dispozicion. Masa e reduktimit nuk përbën një zgjedhje të operatorëve dhe as një mungesë vullneti për garantimin e shërbimit normal të transportit publik. Ajo është një pasojë e drejtpërdrejtë e pamundësisë financiare për të mbuluar kostot e operimit me flotë të plotë, sidomos kostot e karburantit, të cilat përbëjnë një nga zërat kryesorë të aktivitetit. Reduktimi i mjeteve në qarkullim pritet të sjellë në mënyrë të pashmangshme ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të mjeteve që do të mbeten në qarkullim dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik”, thuhet në kërkesën drejtuar Kryeministrisë.
Operatorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet dhe realizimin e kompensimit të parashikuar për kostot e karburantit, duke paralajmëruar se në kushtet aktuale financiare nuk mund të vijojnë të operojnë me 100% të flotës.
“Në këto kushte, u kërkojmë institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë me urgjencë, të japin një përgjigje konkrete mbi kërkesat e paraqitura nga operatorët dhe të mundësojnë realizimin e kompensimit të parashikuar për kostot e karburantit, si dhe vijimin e mbështetjes për periudhën në vazhdim. Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por në kushtet aktuale financiare operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm. Për sa më lart, kërkojmë trajtimin me prioritet dhe urgjencë të kësaj situate, me qëllim shmangien e përkeqësimit të mëtejshëm të shërbimit të transportit publik dhe rikthimin sa më parë të kapacitetit të plotë operacional”, vijon njoftimi.