Kosova nën “pushtetin”e ujit/ Mbyllen rrugët dhe evakuuohen familjet, anulohen fluturimet!

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Moti i keq, reshjet e shumta dhe përmbytjet, kanë mbërthyer prej disa ditësh edhe Kosovën.

Prej gati një jave, në disa zona të vendit, banorët janë nën pushtetin e ujit dhe deri më tani raportohet për dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht nuk raportohet për viktima apo persona të lënduar.

Kjo situata ka shkaktuar probleme në rrugët e disa qyteteve, sidomos në Fushë-Kosovë dhe në rajonin e Anamoravës kryesisht në Gjilan dhe Kamenicë.

Në qytetin e Kamenicës dhe në rrethinat e tij, vërshimi i ujit, ka sjellë dhe mbylljen e pikës kufitare “Dheu i Bardhë”.

Po ashtu edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka pasur probleme nga reshjet, e si pasojë duke anuluar disa fluturime për shkak se në pajisjet e navigimit është futur uji si pasojë e reshjeve të shiut.

Zëdhënësi i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Driton Ujkani, për ka thënë se për fat të mirë defektet teknike janë evituar dhe fluturimet janë rikthyer.

Në disa komuna janë shembur ura e madje edhe janë dëmtuar rëndë pjesë të rrugëve të asfaltuara gjatë ditëve të fundit, kurse ka vazhduar edhe sot evakuimi i familjeve, të cilat janë prekur nga vërshimet.

Komuna e Drenasit gjithashtu është në mesin e shumë komunave të cilat janë goditur nga vërshimet e ujit, ku si pasojë e situatës së krijuar janë evakuuar 14 familje.

Evakuimi i disa familjeve ka ndodhur edhe në fshatin Vragoli të Fushë-Kosovës, ku ekipet e shpëtimit kanë evakuuar banorët me barka për t’i zhvendosur në një zonë më të sigurt, pasi nëpër shtëpitë e tyre ata thonë se më nuk ka as ujë të pijshëm e as energji elektrike.

Disa komuna gjithashtu kanë formuar grupe punuese për menaxhimin e situates dhe në ndihmë të tyre është përfshirë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, (FSK), veprim ky që u kritikua nga njohësja e çështjeve të sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj.

Një nga qytetet më problematike është Komuna e Fushë-Kosovës, vetëm 20 minuta larg Prishtinës.

Në këtë komunë shumë rrugë janë tashmë të përmbytura. Raportohet se bodrumet e banesave janë mbushur me ujë, ndërsa shumë vetura janë mbuluar krejtësisht nga uji./Gazetareforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento