Dozta e para të vaksinave Covax pritet të mbërrijnë në Kosovë në javën e parë të marsit. Ky lajmë u bë i ditur nga Isme Humolli nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në një prononcim për Zërin e Amerikës.
“Siç jeni në dijeni Kosova një sasi bukur të madhe të vaksinës do ta marrë nga mekanizmi i COVAX-it. Dëshira e të dy palëve, edhe e Kosovës edhe e COVAX-it është që vaksina të vije sa më parë, por jemi dëshmitarë tç asaj që ka mungesë të vaksinës për shkak të pamundësisë së prodhimit të sasisë së nevojshme apo aq sa po kërkohet nga shtetet. Pra kapacitetet janë më të ulta”, tha zonja Humolli.
Prej muajsh Kosova ka ngecur në procesin e vaksinimit për shkak të vonesave nga kompanitë prodhuese të vaksinave. Karahasuar me vendet e tjera ne Rajon, Serbia është ajo që kryeson procesin, ndërsa në Shqipëri pavarësisht kontratave të lidhura deri më tani ka ardhur një sasi e vogël vaksinash. Ndërsa në maqedoni të Veriut dhe kosovë janë ende shumë mbrapa në këtë proces.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë se çdo vonesë në këtë proces është rrezik për zgjerim infektimesh dhe humbje të mjekëve në vend. Deri tash afro katër mijë punonjës shëndetësor janë prekur nga COVID-19, dhe 18 kanë humbur jetën, thotë ai.
“Ky mund të thuhet se nuk është numër i madh, por kur shikojmë se cili është kapaciteti jonë, flasim për rreth 40 përqind të mjekëve. Jemi në pritje, është e vërtetë që kemi shpresuar mjaft shumë në ardhjen e vaksinës pak më herët, së paku një kontigjent i cili do të siguronte që kapacitetet tona njerëzore të sistemit shëndetësor të jenë të vaksinuar dhe të jenë të përgatitur për valë të re nëse është e projektuar apo nëse ndodhë”, thotë ai.
Në Kosovë rastet e para me koronavirus u regjistruan në muajin mars të vitit të kaluar dhe që nga atëherë janë regjistruar 66 mijë e 380 të infektuar, 58 mijë e 169 të shëruar si dhe një mijë e 572 persona që kanë humbur jetën nga pasojat e tij.