Skip to content
Të Gjitha

Kontakte të papërshtatshme, ja kush është biznesmeni që mund të fundosë anëtarin e Kushtetueses

· 1 min lexim

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi është një fije të perit, pasi Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e tij.

Sipas raportit të DSIK, ish-prokurori i Krimeve të Rënda, ka pasur kontakte me një person me probleme ligjore.

Bëhet fjalë për biznesmenin Arman Lilo, pronar të “Arlis shpk”, raporton “News 24”.

Bazuar në raportin e DSIK, Muçi i detyrohet biznesmenit, shumën prej 21 mijë eurosh, për një banesë.

Muçi tha se nuk e kishte hetuar asnjëherë Lilon dhe nuk ishte në dijeni se kishte probleme me ligjin.

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, në korrik të 2018-ës, kaloi me sukses vettingun.

Mirëpo Komisioni Publik ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, me pretendimin se Muçi nuk arrinte nivelin e besueshmërisë në kriterin e pasurisë.

Ky i fundit ka rrëzuar pretendimet e Komisionerit dhe ka dorëzuar përpara Kolegjit një sërë provash.