Skip to content
Të Gjitha

Komisioni hetimor për Metën fillon sot punën, ja dy pikat që pritet të miratohen

· 2 min lexim

Ditën e sotme në orën 12:00, do të mblidhet Komisioni Hetimor, i cili do të hetojë shkeljet e pretenduara nga mazhoranca të presidentit Ilir Meta.

Njëra nga pikat që pritet të miratohet sot, është Plani Hetimor në lidhje me shkeljet që mund të ketë bërë Meta, ndërsa pika e dytë është Procesverbali i Punës që do të zhvillohet në vijim.

Aktualisht Komisioni Hetimor ka në dorë përgjigjet e ardhura nga KQZ, Kolegji Zgjedhor dhe Qendra e Publikimeve Zyrtare.

Gjithashtu sot do të shqyrtohen në Komisionet e tjera, disa prej projekt-ligjeve të kthyera nga kreu i shtetit, shkruan “Shqiptarja.com”

Lista e dëshmitarëve është mbajtur sekret, ndërsa po për këtë çështje në Tiranë më 6 shtator do të mbërrijë një delegacion i Komisionit të Venecias, në një mision faktmbledhës.

Kjo nuk është hera e parë që Komisioni i Venecias shprehet për diçka të tillë, pasi opinioni i tyre në precedentin moldav, solli shkarkimin e presidentit.

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës u ngrit më 8 korrik dhe iu la afat deri më 8 tetor, për të vlerësuar nëse presidenti e ka shkelur apo jo Kushtetutën.

Ky organ do të drejtohet nga Ulsi Manja, i cili është edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve.

Komisioni për shkarkimin e Metës përbëhet nga 9 anëtarë, ku 5 janë të mazhorancës dhe 4 të opozitës.