Komisioni Evropian (KE) ka miratuar përdorimin e ilaçit Remdesivir, për trajtimin e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri. Ky është ilaçi i parë i miratuar në nivel të Bashkimit Evropian (BE) për trajtimin e koronavirusit.
Ky vendim vjen disa javë pasi Agjencia Europiane e Barnave (EMA), dha aprovimin për përdorimin e ilaçit të prodhuar nga “Gilead Sciences”, tek të rriturit dhe adoleshentët nga 12 vjeç e sipër, të cilët vuajnë nga pneumonia dhe kanë nevojë për oksigjen.
“Mbrojtja e shëndetit publik është një përparësi kryesore e KE-së, prandaj të dhënat për Remdesivirin janë vlerësuar në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër”, thuhet në deklaratë.
Njëkohësisht ky vendim vjen disa ditë pasi kompania vendosi që ta shpërndajë të gjithë sasiën e prodhuar në Amerikë për 3 muajt e ardhshëm, duke ngritur alarmin për furnizimin e shteteve të tjera. Komisionerja për Shendetin dhe Sigurinë Ushqimore në BE, Stella Kyriakides, u shpreh se unioni do të lëvizë çdo gur, për të siguruar trajtimin ndaj pandemisë.
“Ne nuk do të lëmë gur pa lëvizur në përpjekjet tona për të siguruar trajtime efikase apo vaksinën kundër virusit”, u shpreh ajo.
Komisioni Europian deklaroi një ditë më parë, se ishte në negociata me kompaninë prodhuese, për të siguruar medikamentin për 27 vendet e unionit.
Bashkimi Europian ka krijuar disa mekanizma rregullues, për të lehtësuar sigurimin e medikamenteve në raste emergjente, siç është kjo e koronavirusit..
Ende janë duke u bërë prova për efektivitetin e Remdesivirit në trajtimin e pacientëve me COVID-19, por ka shenja shpresëdhënëse se ilaçi është i dobishëm në trajtimin e sëmundjes, veçanërisht te pacientët në gjendje kritike
Më 30 qershor ndërkohë kompania prodhuese, për shkak të kërkesave të mëdha e rriti çmimin në 3200 dollarë për dozë. Një ditë më vonë ndërkohë SHBA njoftoi marrëveshjen e arritur me kompaninë, për sigurimin e të gjithë sasisë së medikamenteve për 3 muaj.