Skip to content
Kryesore

“Dil jashtë, se do vizatoj”/ Rama qorton fotografin britanik gjatë intervistës, Monocle: Si u shemb fasada e “liderit-showman”

· 3 min lexim

Kryeministri Edi Rama është përballur me një portret krejt ndryshe nga ai që zakonisht përcillet në mediat ndërkombëtare. Revista britanike Monocle, në një reportazh të gjatë nga Tirana, përshkruan një Ramë nervoz, të acaruar nga protestat qytetare dhe me një sjellje të ashpër edhe ndaj ekipit të medias që po e intervistonte.

Sipas artikullit, fotografi i revistës, James Mollison, u qortua fillimisht pasi i kërkoi kryeministrit të vizatonte ndërsa pozonte për fotografi, ndërsa më pas mori një tjetër vërejtje vetëm sepse ndryshoi pozicion gjatë intervistës. Në fund të takimit, Rama i drejtohet fotografit me fjalët: “Dil jashtë”, për t’u kthyer më pas te letrat e mbushura me vizatime në tavolinën e tij, duke theksuar edhe një herë zakonin e tij për të skicuar gjatë punës.

Monocle vëren se kjo sjellje bie në kontrast me imazhin e “liderit-showman” që Rama ka ndërtuar ndër vite në arenën ndërkombëtare. Revista kujton se ai është bërë i njohur për performancat dhe batutat në samite, por thekson se gjatë kësaj interviste u shfaq një tjetër anë e kryeministrit, më pak e duruar ndaj pyetjeve dhe pranisë së medias.

Në intervistë, Rama u pyet edhe për protestat që prej dy muajsh kanë përfshirë vendin. Ai refuzoi idenë e një kompromisi me protestuesit, duke deklaruar se qeveria ka një mandat të qartë nga shumica e shqiptarëve.

“Ata kanë të drejtë të protestojnë. Është një arritje e madhe për këtë vend të ketë protesta paqësore. Por ne jemi zgjedhur me një fitore të madhe dhe kemi një vizion të qartë. Ne kemi një kontratë me shumicën e shqiptarëve.”

Artikulli ndalet gjerësisht edhe te projektet turistike të Jared Kushner në Zvërnec dhe Sazan, të cilat kanë nxitur protesta të vazhdueshme. Monocle kujton se tensionet u përshkallëzuan pas incidentit ku një protestues u dhunua nga rojet e sigurisë, ndërsa videoja e ngjarjes u përhap me shpejtësi dhe shkaktoi reagime të forta publike.

Rama e cilëson Kushnerin një investitor “respektues ndaj vendit tonë”, që synon të veprojë “sipas rregullave”, ndërsa e konsideron të papranueshëm episodin e dhunës ndaj protestuesit. Ai hedh poshtë gjithashtu akuzat se tokat shqiptare po u kalojnë investitorëve të huaj në dëm të qytetarëve.

Në reportazh përfshihen edhe zërat kritikë nga artistë, aktivistë dhe banorë të zonës së Vlorës, të cilët shprehin shqetësime për privatizimin e hapësirave publike, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe mungesën e transparencës për projektet strategjike.

Në fund, ndërsa jashtë godinës së Kryeministrisë vazhdojnë protestat për Zvërnecin, shkollat, spitalet dhe standardin e jetesës, Rama përgjigjet me ironinë e tij karakteristike:

“Po mbaj shënime. Armiqtë e tu mund të të thonë gjëra që janë më të dobishme sesa ato që të thonë miqtë e tu.”

Menjëherë pas kësaj, sipas Monocle, ai i kërkon fotografit të largohet nga zyra, për t’iu rikthyer vizatimeve të tij, duke mbyllur një intervistë që revista e paraqet si një moment ku, përtej imazhit të kuruar ndërkombëtar, u shfaq një tjetër fytyrë e kryeministrit shqiptar.