KLSH: Shqipëria pa mekanizma funksionalë për të matur luftën ndaj varfërisë

Shqipëria nuk ka arritur të sigurojë harmonizim, koordinim dhe monitorim efektiv të politikave për përmbushjen e objektivit të Kombeve të Bashkuara për zhdukjen e varfërisë deri në vitin 2030. Përfundimi është bërë publik nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një auditimi të performancës që evidenton mangësi serioze në institucionet qendrore dhe vendore.
Auditimi, i cili përfshin periudhën 2022-2024, ka shqyrtuar politikat e ministrive përgjegjëse, agjencive qendrore, Institutit të Statistikave, si dhe bashkive Durrës dhe Elbasan.
“Harmonizimi i Objektivit 1 të OZHQ-ve — Zhdukja e varfërisë në të gjitha format — me strategjitë dhe programet kombëtare rezulton i paplotë,” thuhet në raport.
Sipas KLSH-së, ky përfundim lidhet me mungesën e një Kornize Kombëtare të Indikatorëve, mungesën e lidhjeve të matshme mes dokumenteve strategjike dhe politikave, si dhe me faktin se Udhërrëfyesi për arritjen e objektivave ende nuk është miratuar.
Auditimi konstatoi gjithashtu se “mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për mbledhjen e të dhënave, monitorimin dhe raportimin e progresit të OZHQ 1 nuk kanë funksionuar.”
Pjesa më e madhe e institucioneve qendrore dhe vendore nuk kanë struktura apo persona përgjegjës të përcaktuar për ndjekjen e objektivave. Ndërkohë, bashkitë nuk i përdorin të dhënat për ndihmën ekonomike dhe shërbimet sociale për të analizuar progresin në luftën kundër varfërisë.
Jashtë funksionit rezulton edhe Sistemi Informatik i Planifikimit të Integruar, i cili duhet të lidhte politikat, planifikimin strategjik, buxhetimin dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Në komentet e përfshira në raport, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës pranoi se platforma nuk funksionon dhe deklaroi se po bashkëpunon me Ministrinë e Financave për adresimin e problematikave dhe përditësimin e saj.
KLSH e cilësoi zbatimin e masave për arritjen e objektivit si “pjesërisht efektiv”, duke evidentuar se më shumë se 40% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Në raport theksohet gjithashtu se buxheti për mbrojtjen sociale është ndjeshëm më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Raporti citon edhe të dhënat e INSTAT, sipas të cilave treguesi i rrezikut për të qenë i varfër ishte 19.2% në vitin 2024. Fëmijët dhe të moshuarit mbeten ndër grupet më të ekspozuara, ndërsa pabarazitë mes zonave urbane dhe rurale vazhdojnë të kufizojnë qasjen në arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime sociale.
Financimi i lidhur me Objektivin 1 është rritur nga rreth 60 miliardë lekë në vitin 2016, në 80 miliardë lekë në vitin 2020 dhe rreth 100 miliardë lekë në vitin 2024.
Megjithatë, kontributet nga donatorët dhe burimet e tjera nuk janë ende të detajuara plotësisht. KLSH vëren se mungesa e sistemeve funksionale e vështirëson lidhjen e shpenzimeve buxhetore me rezultatet konkrete të arritura.
Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi ngritjen dhe formalizimin, brenda vitit 2026, të strukturave ose pikave të kontaktit përgjegjëse për monitorimin dhe raportimin e objektivit në institucionet qendrore dhe vendore.
Audituesi kërkoi gjithashtu rikthimin në funksion të sistemit të planifikimit të integruar, si dhe përfshirjen e gjetjeve të raportit në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ndërministror për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
“Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar progres të qartë, të matshëm dhe të qëndrueshëm” drejt zhdukjes së varfërisë në të gjitha format deri në vitin 2030, përfundon raporti.