Ndonëse pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet vendore në vend, situata politike mbetet e trazuar. Zgjedhjet e 2022-it rikthejnë në fuqi zgjedhjet pluraliste, pas një eksperiencë të hidhur nga zgjedhjet me 1 parti që zhvilloheshin vetëm në kohë të diktaturës. Opozitës i duhet të përballet me një regjim të instaluar në vend siç e quajnë ato qeverisjen e kryeministrit Rama, i cili prej 4 vitesh tashmë qeveris i vetëm dhe për herë të parë në historinë pluraliste ka në dorë të gjitha pushtetet. Ndonëse opozita ka të vështirë përballjen në këto zgjedhje, duket se po vonon me nxjerrjen e kandidatëve për bashkitë, por gjithsesi emra të mundshëm po qarkullojnë në media.
Deri tani forca më e madhe opozitare Partia Demokratike është shprehur se po luftohet për të nxjerrë kandidatë të përbashkët në bashkëpunim me aleatët, kandidatë të cilët do t’i nënshtrohen primareve. Primaret janë një risi ku i jepet e drejta e kandidimit të gjithëve dhe do kenë mundësi të votojnë krahas anëtarëve të Partisë dhe simpatizantët apo qytetarët e thjeshtë. Bashkia më e madhe në vend Tirana është kthyer në temë diskutimi ditët e fundit ku ka pasur aludime në lidhje me emrin që mund të jetë kandidati përballë Erion Veliajt, për të cilin është propaganduar miti i “të pathyeshmit”. Veliaj i zhytur në afera miliona dollarëshe që e ka kthyer Tiranën në qytet kullash, betoni dhe ndërtimesh pa leje është lehtësisht i mundshëm nëse ka përballë një figurë të cilën shqiptarët nuk janë lodhur me të, një intelektual, një frymë të re.
Ndër emrat që qarkullojnë është edhe ai i mjekut Ilir Alimehmeti, i cili ka dhënë një ndihmesë të madhe për vendin, sidomos gjatë periudhës së pandemisë me denoncimet për aferat korruptive të Ministrisë së Shëndetësisë, siç ishte ai me maskat apo me bombulat e oksigjenit. Por mesa duket figurat e pastra të vendit, politikanët e paprovuar nuk gëzojnë mbështetje në rradhët e opozitës.
Gazetari dhe analisti Enton Abilekaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, është shprehur se Alimehmeti do të ishte një kandidat shumë i mirë dhe se e mund Veliajn, pasi është krejt e kundërta e modelit të tij. Por sipas Abilekajt duket se kandidatura e tij has në pengesë nga mosmbështetja e Partisë së Lirisë dhe kreut të saj Ilir Meta.
Enton Abilekaj: Kam një informacion që ftoj Partinë e Lirisë ta përgënjeshtrojë. Është diskutuar Alimehmeti, por ata hezitojnë sepse duan kandidat shumë politik. Ata po hezitojnë. Ndoshta duan Belind Këlliçin, po them një emër… Nëse është kështu, anëtarësia e PL do të votojë kandidatin shumë politik.
Kandidatët partiakë, njerëzit nuk duan ti shohin më me sy. Pastaj Tirana e qeverisur nga një kryetar që ka shkatërruar çdo sens social të këtij qyteti dhe e ka rrënuar totalisht. Rinia pi hashash, nuk kanë ku dalin. Alimehmeti ka një histori politike familjare. Babai i tij ka kandiduar në Durrës dhe i kanë vjedhur votat. Ai ka studiuar jashtë. Ka shërbyer si mjek.
Kemi personazh totalisht të kundërt të gjithë klasës politike. Personazh që vjen nga jashtë dhe është angazhuar këtu, ka patur angazhim publik shumë pozitiv, në shërbim të qytetarëve. Për mua, ky është e kundërta e Veliajt.
Ylli Rakipi: Erion Velisë mund ti dalë përpara vetëm një njeri krejt tjetër dhe unë këtë djalin, Alimehmeti e shoh si njeri me vlera.
Neritan Sejamini: Gara për Tiranën është thelbësore për zgjedhjet e 2023. Është gara më e rëndësishme që ka PD. I vetmi kandidat që mund të fitojë kundër Veliajt, është një kandidat që është e kundërta, në aspektin e qytetarisë, sinqeritetit urtësisë. Nuk mendoj se kandidati duhet të jetë politik. Duhet e kundërta totale e Erion Veliaj. Në këtë kuptimi, nuk e di çfarë lloj karizme ka Alimehmeti dhe kurajo, por mund të ishte.
Ndonëse shqiptarët janë lodhur me politikën në Shqipëri dhe kanë humbur shpresat tek ajo dhe këtë e tregojnë më së miri shifrat në votime të cilat bien vit pas viti, klasa politike dhe drejtuesit e saj nuk duan t’ju hapin rrugë figurave të reja dhe të panjollosura. Primaret të cilat u sollën si risi në zgjedhje për t’i dhënë fund kryetarokracisë duket se nuk do të japin rezultat. Qeveria Rama e zhytur në afera të dala njëra pas tjetrës si inceneratorët apo rënia e shtetit nga hakerat do të rrëzohej nëse qytetarët do të ishin të frymëzuar nga figura të reja, të paprovuara, por mesa duket kryetarokracia i ka rrënjët e thella dhe do shumë kohë që të zhduket nga sistemi politik. Rinia dhe intelektualët janë e ardhmja e Shqipërisë, jo politikanët e sprovuar prej 30 vitesh.