Skip to content
Të Gjitha

Kishte rrethuar plazhin publik me mure betoni, arrestohet 66-vjeçari në Durrës

· 2 min lexim

Policia e Durrësit ka arrestuar ditën e sotme një 66-vjeçar. Ky i fundit kishte zaptuar një plazh publik në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Sipas njoftimit të policisë, muret e betonit që ka bërë 66-vjeçari do të prishen brenda pesë ditësh.

Mbi 66-vjeçarin rëndojnë veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.

Njoftimi i Policisë:

Vijon operacioni kundër krimeve mjedisore, zaptimit të pronës publike në plazhe, ndotjes së mjedisit dhe ndërtimeve pa leje.

Kontrolle të shtuara në zonën bregdetare, nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT).

Evidentohet te Shkëmbi i Kavajës, një rast i zaptimit të pronës publike dhe ndërtimit pa leje.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.

Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IKMT-në, te Shkëmbi i Kavajës, para lokalit të shtetasit I. K. kanë konstatuar se ai kishte zaptuar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke, pronë publike plazh, duke e rrethuar me mur dhe plate betoni.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin shtetasin I. K., 66 vjeç, banues në Durrës.

Ndërkohë, IKMT ka plotësuar dokumentacionin për prishjen e këtij ndërtimi brenda 5 ditësh.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/posts/2759475934338760